Elmas Bogdani
Më sytë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe me bindjen se do të jetë në Parlament edhe pse nuk fitoi mandatin e deputetit, Myslim Murrizi paralajmëron zhvillime te forta në vjeshtë, që do shkaktojnë tërmet në listën e Partisë Demokratike për Tiranën. Në prag të legjislaturës se re, kandidati i listës së hapur provokoi kolegët e zgjedhur deputet ne kryeqytet, të cilët kanë llogari te hapura me drejtësinë. “Nuk ua heq unë mandatin, E dinë vetë ata. Ata që janë në proces gjyqësor dhe ata qe janë në proces hetimor. Nuk uroj askënd që të jenë në burg por zullumet qe kanë bërë do i paguajnë vetë. Kam thënë ne shtator qe do jem në Parlament, por nuk kam dhëne vit mund të jetë dhe shtatori i 2026. Por e sigurte do jem atje.”
Por kush janë emrat me probleme në PD?
Por cilët janë deputetët e PD në Tiranë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit dhe kush rrezikon prangat? Murrizi nuk ka thënë asnjë emër, por ka të dhëna publike për ta dhe mund të identifikohen lehtë. Sipas të dhënave të KQZ, PD mori 13 mandate në Tiranë dhe deputetët e rinj janë: Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Tedi Blushi, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu, Edi Paloka, Erisa Xhixho, Mesila Doda, Klevis Balliu, Besart Xhaferi, Jorida Tabaku. Nga të 13 emrat në fjalë, janë disa që kanë probleme me drejtësinë. Duke i marrë me radhë, Sali Berisha është në proces gjykimi për dosjen “Partizani” dhe po hetohet për “21 Janarin”. Madje Dumani paralajmëroi se dosja është prioritate. Kemi dhe 3 të tjerë që janë në telashe me drejtësinë. I katërti në listën e Tiranës është Belind Këlliçi.
Ndaj tij ka nisur një hetim nga SPAK për falsifikim të diplomës dhe për fshehje pasurie. SPAK ka dyshime se Këlliçi ka mashtruar me diplomën e gjimnazit, si dhe nuk ka deklaruar në ILDKP të ardhurat e bashkëjetueses, gjë që ligji e detyron. Në fillim të vitit ai u mor në pyetje nga SPAK dhe po ashtu janë marrë në pyetje dhe persona të tjerë, përfshirë dhe drejtuesit e shkollës “Harry Fultz”. Emër tjetër në këtë listë është Fatmir Mediu, i cili në fakt është ndër më të rrezikuarit të humbasë mandatin. Ai po gjykohet për shpërthimin në Gërdec dhe SPAK e akuzon atë për shpërdorim detyre në dy raste. Në gjykatë procesi ka vite që zvarritet, por duket se është drejt fundit, teksa ka pasur shumë dëshmi.
Sinjalet janë se Mediu vështirë t’ia hedhë paq në këtë rast. Emri i tretë është Flamur Noka. Një vit më parë, SPAK ka nisur një hetim pasuror për Nokën dhe familjen e tij. Mësohet se SPAK ka tërhequr të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga ILDKP, Kadastra dhe organet e tjera dhe po verifikohet gjithçka, si për Nokën, ashtu dhe për bashkëshorten e tij dhe të afërmit. Po ashtu ndaj tij ka pasur dhe një padi për koncesionin e pasaportave kur ka qenë ministër i Brendshëm dhe mësohet se SPAK po heton dhe në këtë aspekt.
Më 19 mars 2013, Flamur Noka, në atë kohë ministër i Brendshëm, firmosi ndryshimin dhe zgjatjen me 10 vite të kontratës koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me grupin që kontrollonte kompaninë Aleat. Ndryshimi i kontratës nga Noka ka disa elementë të dyshuar si korruptivë, që po hetohen nga SPAK-u. Sa u përket emrave të tjerë, rezulton se janë të pastër dhe nuk ka asnjë hetim penal për ta. Për më tepër që shumica nuk kanë mbajtur poste. Pra, sinjalet janë se lista e Tiranës mund të ndryshojë, por atë e kanë në dorë SPAK dhe GJKKO. Por nuk përjashtohet që emrat e tyre të kenë dalë në hetime sekrete të hapura nga SPAK.
Paralajmërimi i Myslim Murrizit për “bombën” që do të plasë në opozitë, kush janë emrat me letra të hapura në SPAK…
