Zvicra do t’i jepte “imunitet” presidentit rus Vladimir Putin nëse ai viziton vendin për bisedime paqeje me Ukrainën, tha të martën ministri i Jashtëm zviceran.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi bisedime intensive me udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë të hënën, përfshirë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë të cilave ai telefonoi Putinin dhe sugjeroi që të dy udhëheqësit të takoheshin për të arritur një marrëveshje paqeje.
Në një postim në Truth Social, ai tha se kishte filluar të organizonte një samit, megjithëse ofroi detaje të pakta.
Presidenti francez Emmanuel Macron sugjeroi të martën se një takim i tillë mund të zhvillohet në Gjenevë.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani u pajtua, duke thënë se qyteti zviceran “mund të jetë vendi i duhur”.
Putin, i cili ka qenë subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale që nga viti 2023 për krime lufte në Ukrainë, nuk do të arrestohej nëse do të vinte në vendin alpin për të marrë pjesë në një “konferencë paqeje”, njoftoi Ministri i Jashtëm Zviceran Ignazio Cassis, duke shtuar se Zvicra ishte “e gatshme për një takim të tillë”.
“Ne gjithmonë e kemi sinjalizuar gatishmërinë tonë, por kjo natyrisht varet nga vullneti i fuqive të mëdha”, tha Cassis.
Por Kremlini ende nuk ka rënë dakord publikisht që Putini të takohet me Zelenskyn.
“Çdo kontakt që përfshin zyrtarë të lartë duhet të përgatitet me kujdesin më të madh”, tha ministri i Jashtëm rus./vizionplus.tv

Leave a Reply