Godet gjykatësit, por pse është më rëndë se ata?

Kryeministri Rama është kapur sërish me një njeri të drejtësisë, një verdiktdhënës në gjyqësor, të cilëve u kundërvihet herëpashere në atë që ai e konsideron vendimmarrje absurde.
“Më në fund, gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz, për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë apo gjyqkatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurores Gjeli dhe të gjykatësit Balliu. Por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që, me ndihmën e të Madhit Zot, organet e kontrollit dhe të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatësit Balliu, si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune, për sa kohë nuk ka viktima”, shkruan Rama.
Por vetë njeriu që qeveris Shqipërinë është po aq absurd në vendimmarrje, sa ç’mund të jetë ky gjyqtar e emra të tjerë në drejtësinë shqiptare, të cilëve ai u vërtitet me gjuhën e tij acide.
Kujtojmë se pas zgjedhjeve, krejt papandehur, Rama urdhëroi në shkelje të Kushtetues e nëpëkëmbje të çdo dinjitetit njerëzor minimal dorëheqjen e stafeve të Bashkive, pa marrë parasysh asnjë kriter, e paprecedent gjëkundi në sisteme demokratike. Po ashtu, pa qenë fare emergjencë, pa qenë aspak diskutim publik apo çështje e mprehtë publike, ai urdhëroi zhbërjen e çdo strukture tregtare – lokale apo restorante – pa asnjë referim ligjor për prishje, duke djegur të njomin me të thatin, pra të rregulltin me të parregulltin, duke cenuar kësisoj me qindra biznese deri në asfiksimin e tyre. Ndërsa Thethi është çështje më vete për vetë absurdin e madh që bart. /tesheshi.com/