Si e uli Helsinki numrin e humbjeve të jetës nga aksidentet rrugore në zero

Kryeqyteti finlandez, Helsinki, arriti të kalojë një vit të tërë pa asnjë viktimë në aksidentet rrugore. Ky sukses lidhet ngushtë me planifikimin urban të bazuar në të dhëna dhe politika të zgjuara të sigurisë rrugore.Zero. Ky është numri i njerëzve që kanë humbur jetën në aksidente rrugore në Helsinki, Finlandë, gjatë 12 muajve të fundit. Edhe pse edhe qytete të tjera e kanë arritur këtë, si Oslo në vitin 2019, Helsinki është një nga qytetet më të mëdha që e ka realizuar.Që nga korriku 2024 nuk është shënuar asnjë viktimë. Me rreth 690,000 banorë, Helsinki ka një nivel të vdekshmërisë shumë më të ulët se shumica e kryeqyteteve europiane, si në shifra absolute ashtu edhe për frymë.Në vitin 2024, deri në fillim të korrikut, kishte vetëm katër viktima, që i korrespondojnë 0,59 për 100,000 banorë. Për krahasim, Berlini regjistroi 1,45 për 100,000, Londra 110, ndërsa Oslo, me pak më shumë banorë se Helsinki, 0,56.Roli i kufizimit të shpejtësisëNjë nga masat kryesore ishte ulja e kufijve të shpejtësisë në 30 km/h në më shumë se gjysmën e rrugëve të qytetit. Po kështu, pranë shkollave kufiri u ul në 30 km/h për të mbrojtur fëmijët.“Vetëm ulja e shpejtësisë nuk mjafton, por është një hap thelbësor,” thekson Roni Utriainen, inxhinier trafiku dhe planifikues rrugësh në Bashkinë e Helsinkit.Objektivi “Zero Viktima” deri në 2050Kjo arritje është pjesë e programit europian “Vision Zero”, që synon eliminimin e humbjeve të jetës në rrugë deri në vitin 2050.Helsinki ka nisur Programin e Zhvillimit të Sigurisë Rrugore, me synim identifikimin e akseve më të rëndësishme për fëmijët, këmbësorët dhe çiklistët dhe rindërtimin e infrastrukturës për ta bërë më të sigurt. Ky program përfshin shtimin e korsive të biçikletave, përmirësimin e ndriçimit publik, përditësimin e udhëzimeve dhe bashkëpunimin me qytete e institucione të tjera. Një prioritet tjetër është nxitja e përdorimit të transportit publik për të ulur numrin e makinave në rrugë.Të dhënat si bazë për planifikimAutoritetet kanë mbledhur të dhëna mbi aksidentet, shpejtësitë e qarkullimit dhe opinionet e qytetarëve për të identifikuar pikat e rrezikshme. Kjo ndihmon në planifikimin e kalimeve për këmbësorë, korsive të biçikletave dhe linjave të transportit publik.“Siguria rrugore është komplekse, sepse ndikohet nga shumë faktorë,” shpjegon Hagen Schüller, planifikues trafiku në Berlin. “Megjithatë, heqja e një faktori rreziku krijon një lloj ‘amortizatori’ dhe parandalon aksidentin.”Rëndësia e kontrollit dhe zbatimitNë Helsinki, koordinimi midis bashkisë dhe policisë ka qenë vendimtar për zbatimin e kufijve të shpejtësisë. Policia kryen kontrollet, ndërsa bashkia ndërton pikat fikse të kontrollit. Aktualisht ka 60 pika të tilla me kamera shpejtësie, kryesisht në rrugë me kufi mbi 40 km/h.“Kemi parë që këto pika kanë ulur ndjeshëm rastet e tejkalimit të shpejtësisë,” thotë Utriainen.Inovacioni dhe e ardhmjaEkspertët si Schüller besojnë se e ardhmja e menaxhimit të trafikut do të bazohet te automatizimi dhe inteligjenca artificiale. Mjetet vetëdrejtuese do të komunikojnë me qendrat e kontrollit, duke raportuar shpejtësinë dhe vendndodhjen, ndërsa IA do të analizojë pamjet nga kamerat për të menaxhuar qarkullimin në kohë reale.Sipas tij, Helsinki po shërben si model për qytetet e mesme, duke treguar se “Vision Zero” është e arritshme.Sfida kryesore për qytetet e tjera mbetet politika vendore: heqja e hapësirave të parkimit për korsitë e biçikletave, ulja e shpejtësisë dhe krijimi i zonave pa makina shpesh shkaktojnë kundërshtime. Por teknologjia dhe dijet tashmë ekzistojnë, mbetet vetëm zbatimi i tyre. / DWKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.