Partia Demokratike duket se ndodhet në udhëkryq. Prej përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, PD ka deklaruar se nuk njeh rezultatin, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama se ka manipuluar procesin, madje duke ngritur pretendimet për aplikimin e ‘trenit bullgar’ në ditën e votimeve. Por a do të hyjnë deputetët e Partisë Demokratike në Kuvend apo jo? Belind Këlliçi, i cili ishte drejtuesi politik për PD-në në Qarkun e Tiranës, aty ku koalicioni “ASHM’ arriti të marrë vetëm 13 nga 37 mandatet e deputetëve, ka nxjerr dje në dritë një plan radikal që mund të ndryshojë gjithçka. Ai paralajmëron mundësinë e djegies së mandateve dhe bojkotit total të Kuvendit, duke futur opozitën në një krizë të paparashikueshme.
“Çdo ditë në mënyrë permanente, Berisha vijon të denoncojë të gjitha faktet që kanë vërtetuar se 11 maji ka qenë një farsë e madhe elektorale. Duhet të shohim vendimmarrjen e PD për rikthimin apo jo në parlament të opozitës, duhet të shprehen organet e larta të PD, këshilli e forumeve të PD, do të vendosin ata agjendën politike. E rëndësishme është të reflektojmë interesin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi dje Këlliçi gjatë një prononcimi për mediat, duke ndezur tensionin brenda partisë dhe në publik. Pra duket se opsioni i djegies së mandateve, i përdorur më parë nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha, po rikthehet si mundësi reale. Kështu që çdo lëvizje tani shihet si një test mbi fuqinë dhe mbijetesën e opozitës në politikën shqiptare. Madje kjo është një beteja që mund të vendosë fatin e partisë për muajt e ardhshëm.
Skenari politik pas zgjedhjeve
Ndërkohë kujtojmë se zgjedhjet e 11 majit shënuan humbjen më të rëndë të Partisë Demokratike që nga viti 1997. Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” arriti të marrë vetëm 50 mandate, ndërkohë që Edi Rama dhe mazhoranca e tij fortë u shpallën fituese me 83 deputetë. Ky rezultat ka shokuar strukturat e PD-së dhe ka ndezur debate të zjarrta brenda partisë. Mandatet e mbetura u shpërndanë mes PSD-së, Mundësisë, Lëvizjes Bashkë dhe koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Baza e PD-së kërkon lëvizje drastike dhe hakmarrje politike ndaj qeverisë. Po ashtu, disa zyrtarë paralajmërojnë se çdo vendim i radikalizuar mund të tronditë Parlamentin dhe të krijojë krizë të thellë. Por kjo situatë tregon se jemi përballë një pikë kritike që mund të përcaktojë fatin e opozitës dhe të koalicionit të saj për vitet e ardhshme. Megjithatë sikundër e theksuam më sipër, debatet për rikthim apo bojkot pritet të diskutohen në forumet e larta të PD-së në fillim të shtatorit.
Pra ky moment paraqet një udhëkryq historik për Partinë Demokratike, një sfidë që mund ta shndërrojë opozitën ose në forcë të fuqishme, ose në parti në krizë të thellë. Në këtë situatë, çdo vendim i PD-së do të jetë vendimtar dhe mund të shkaktojë rrufe të paparashikueshme në politikën shqiptare. Ndërkaq pak ditë më parë idenë e bojkotit e hodhi edhe deputeti në ikje i Partisë Demorkatike, Kreshnik Çollaku. “Rrezikon të kthehet një opozitë fasadë nëse nuk ka peshën e votës, edhe nëse voton kundër e bën interpelanca. Por edhe duke djegur karrige kthehet në fasadë. Unë nuk jam për bojkot apo djegie mandatesh, por mendimi im është që të bllokohen mandatet, të merren seancën e parë dhe më pas të shkojë pas 6 muajsh e kështu të vijoj, pra të mos i djeg por të bllokojë ato”, deklaroi Çollaku.
PD në udhëkryq, Këlliçi nxjerr në pah planin radikal të opozitës, paralajmëron djegie mandatesh dhe bojkot të Kuvendit
