Komandanti i Njësisë së Sigurisë Personale dhe të Objekteve (JZO), Marko Kriçak, gëzon status të “paprekshëm” për shkak të besnikërisë së tij ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi kolonelja e pensionuar e policisë dhe deputetja Slavica Radovanoviç.
Ajo kujtoi se Kriçak, dikur shitës makinash, u ngrit shpejt në karrierë duke kaluar nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku mori menjëherë postin e komandantit të JZO-së. “Ne që kemi punuar në polici e dimë se për të ushtruar funksione të tilla kërkohen kritere ligjore të qarta, të cilat ai nuk i ka përmbushur”, theksoi Radovanoviç për gazetën Danas.
Deputetja akuzoi se policia serbe si institucion “nuk ekziston më”, duke e cilësuar tërësisht të vënë në shërbim të regjimit. Sipas saj, veprimet e Kriçakut gjatë protestave tregojnë mungesë të plotë të profesionalizmit, pasi ai “nuk është oficer policie dhe nuk ka kryer trajnim policor”.
Dyshohet se më 14 gusht, pas një proteste, Kriçak dhe njerëzit e tij kanë dërguar studentët Nikolina Sinđelić, Stevan Zdravković dhe Dušan Cvetković në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, ku i kanë detyruar të gjunjëzohen, i kanë rrahur, i kanë poshtëruar, ua kanë thyer celularët dhe i kanë kërcënuar me armë.
Radovanoviç theksoi se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda ligjore dhe janë dëshmi e zhdukjes së çdo norme ligjshmërie në policinë e vendit.
