Nga Julia Vrapi
Zjarret kanë dëmtuar dhe objekte monument kulture pjesë të trashëgimisë sonë kulturore, ku për kishën e Shën Ilias do të ketë një projekt restaurimi. Kisha që është monument kulture i kategorisë së dytë në fshatin Lekël u dëmtua nga zjarri dhe pas vlerësimit të dëmit nga institucionet, ka nisur puna për hartimin e projektit të restaurimit. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit deklaron se në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, po ndjek situatën e zjarreve në vend për të garantuar mbrojtjen e pasurisë sonë kulturore. Ministri Blendi Gonxhja bën me dije se për objekte që janë dëmtuar ka nisur hartimi i projektit të ndërhyrjes.
“Në qarkun Gjirokastër, Kisha e Shën Ilias, monument kulture i kategorisë së II-të, në fshatin Lekël pësoi dëmtime nga zjarri, por pjesa më e madhe e strukturës u ruajt. Menjëherë pas evidentimit të nevojës për ndërhyrje, kemi nisur me hartimin e projektit”, shprehet ministri i MEKI-t në deklaratën e tij. Siç njoftohej më parë shumica e monumenteve kanë shpëtuar nga rreziku, megjithatë, ka dhe raste dëmtimi. Në qarqet Dibër dhe Shkodër, pavarësisht vatrave të shumta, nuk janë regjistruar dëmtime në monumente. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shprehet se në qarkun Vlorë në manastirin në fshatin Piqeras dëmtimet janë vetëm tek bimësia. “Falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave të zjarrfikësve dhe ushtrisë, objekte si Muzeu i Kastriotëve dhe Kështjella e Fletit janë mbajtur jashtë rrezikut.
Në qarkun Vlorë, i vetmi rast i prekur ka qenë Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës në fshatin Piqeras, ku flakët dëmtuan vetëm bimësinë në oborrin e pasëm të manastirit, pa cënuar strukturën”, shprehet ministri Gonxhja në një deklarim mbi gjendjen e monumenteve të kulturës në vend. Kisha e Manastirit të Shën Mërisë Krimanovës ku zjarret kanë dëmtuar vetëm bimësinë në oborrin e pasëm ndodhet mbi fshatin Piqeras dhe ka një pamje të gjerë deri në det. Kisha përbën qendër kompozicionale të manastirit që ruhet sot në gjendje gjysëm të rrënuar, është ndërtuar në vitin 1672. Përbëhet nga naosi dhe narteksi në anën perëndimore.
DRTK bashkëpunime me ekipet në terren
Për shkak të gjendjes së rënduar nga zjarret në vend të gjitha Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në të gjitha zonat e prekura kanë qenë në gatishmëri, duke marrë masa parandaluese si krijimi i brezave të sigurisë, largimi i vegjetacionit dhe bashkëpunimi me ekipet në terren. Ministri Blendi Gonxhja thotë se ekipet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mbeten të angazhuara për të planifikuar në vijim restaurimet nëse do të ketë monumente kulture të dëmtuara. “Ekipet tona, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e zjarrfikëseve, ushtrinë dhe autoritetet vendore, mbeten të angazhuara, me prioritet absolut mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga çdo rrezik natyror, si dhe për të planifikuar në vijim restaurimet e mirëmbajtjet e nevojshme të monumenteve të prekura.
Ju bëjmë thirrje: Mos ndizni zjarre në natyrë apo gjatë pastrimit të parcelave. Raportoni menjëherë çdo shenjë tymi apo flake që shihni”, shprehet ministri Gonxhja ndër të tjera në një deklarim të tij. Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. DRTK-të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e trashëgimisë kulturore, me qëllim gjurmimin, projektimin, konservimin, restaurimin, mbikëqyrjen, kolaudimin, promovimin, publikimin e trashëgimisë kulturore, në territorin që ato administrojnë.
Dëmtimet në monumentet e kulturës nga zjarret, nis hartimi i projektit të restaurimit për kishën e Shën Ilias
