Hetimi për vrasjen e Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që studionte në Romë, ka hyrë në një fazë të re. Pas rrëfimit të ish të dashurit të saj, Antony Mark Samson, 23 vjeç, i cili ka pranuar se e ka vrarë me thikë gjatë një debati në banesë, autoritetet italiane kanë vendosur të hetojnë edhe nënën e tij.
Sipas burimeve të “LaPresse”, nëna e Samsonit është përfshirë në listën e të dyshuarve për bashkëpunim në fshehjen e kufomës. Ajo ka ndërhyrë menjëherë pas krimit, pasi ka dëgjuar britmat e vajzës dhe e ka parë trupin e pajetë në dhomën e gjumit.
Në vend që të lajmëronte autoritetet, dyshohet se ajo ka ndihmuar të birin në pastrimin e skenës së krimit në apartamentin në via Homs, në lagjen afrikane të Romës, shkruan A2.
Ndërkohë që Samson pretendon se ka vepruar i vetëm, hetuesit nuk janë të bindur nga versioni i tij dhe po hetojnë më shumë rreth rolit të mundshëm të familjarëve. Të dhënat telefonike të nënës dhe babait do të analizohen me kujdes për të zbuluar lëvizjet e tyre në orët pas krimit.
Nëna e Samsonit do të merret në pyetje ditën e sotme. Qëllimi i hetimit është të sqarojë saktësisht çfarë ndodhi në orët e pas krimit dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në fshehjen e provave.
Trupi i Ilaria Sulës, e zhdukur më 25 mars, u gjet natën mes 1 dhe 2 prillit brenda nje valixheje e hedhur në një shkëmb në një zonë pyjore në Poli. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ndërkohë, Gjykata e Romës konfirmoi lënien në qeli të 23-vjeçarit me origjinë filipinase Mark Samson të akuzuar për vrasjen e shqiptares Ilaria Sula. Sipas mediave italiane, pak ditë pasi i riu ka vrarë Ilarian dhe e hodhi atë në një greminë, ka çuar automjetin në një servis, si dhe ka kërkuar pastrim të makinës. Punonjës të servisit ku Mark Samson çonte mjetin e tij për riparim, e kanë përshkruar atë si një djalë të sjellshëm dhe se nuk kishin menduar kurrë që ai mund të bënte diçka të tillë.
“Dëgjova britma, pastaj…”, gruaja filipinase dyshohet se ndihmoi djalin të zhdukte trupin e shqiptares
