Studentët në Serbi kanë njoftuar se do të vazhdojnë protestat edhe në mbrëmjen e sotme, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë natës së 13 dhe 14 gushtit.
Përmes rrjeteve sociale, ata kanë shpërndarë vendndodhjen dhe orarin e tubimeve, duke ftuar qytetarët nga e gjithë Serbia të bashkohen në protesta.
Në kryeqytetin Beograd, tubimet pritet të fillojnë në orën 19:30. Një natë më parë, protesta u zhvilluan në rreth 30 qytete nën sloganin “Serbi, zgjohu”, ku përplasjet më të forta mes protestuesve dhe policisë ndodhën në Beograd dhe Novi Sad, kryesisht pranë selive të Partisë Progresive Serbe (SNS).
Për herë të parë, në përplasjet morën pjesë edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe, përfshirë ushtarë të njësisë elitare “Kobra”. Shtatë efektivë të ushtrisë u plagosën, ndërsa katër prej tyre pësuan dëmtime serioze.
Studentët theksuan se protesta po zhvillohen si reagim ndaj dhunës së ushtruar në Vrbas, ku protestuesit janë sulmuar nga mbështetës dhe anëtarë të partisë në pushtet me fishekzjarrë, gurë, shishe me ujë të ngrirë dhe objekte të tjera të rrezikshme.
