Sezoni artistik shtator-dhjetor, një dramë dhe dy komedi do të jenë premiera në skenën e teatrit “Bylis”

Nga Julia Vrapi
Vepra premierë, dramë dhe komedi në sezonin e ri artistik shtator-dhjetor në skenën e teatrit “Bylis”, por edhe shfaqje rivënie. Këtë sezon pritet që të jenë në skenë për publikun tre shfaqje premierë, vepra që janë miratuar më parë edhe nga këshilli artistik. Programi i teatrit “Bylis” në Fier përgjatë një viti ka vepra të ndryshme teatrore, pjesë shqiptare dhe të huaja, ku dhe sezoni që do të nisë sjell të tjera produksione të tij në skenë për publikun. Teatri “Bylis” në Fier bën me dije se sezonin e ri që pritet të nisë në shtator deri në fund të tij do të jenë tre shfaqje teatrore premierë. “Rikthehemi në shtator. Teatri “Bylis”, pasi ka përfunduar me sukses sezonin e parë teatror, me 3 shfaqje premierë dhe 2 rivënie, ju njeh me shfaqjet teatrore të sezonit të ri teatror! Eja në teatër!”, shprehet teatri i Fierit.
Në sezonin e ri teatror shtator-dhjetor: Premiera: “Metoda Gronholm”, dramë, regjia Katerina Polikronopulu; “Foleja e ndrikullave” komedi, regjisore Miola Seitaj; “Çdo gjë e shkëlqyer” komedi, regjia Altin Basha. Rivënie do të jenë: “Një martesë, një divorc, një funeral” komedi, regjia Rovena Lule;  “Amour” dramë, regjia Besmir Bitraku; “Kurrë një herë tjetër” komedi, regjisor Astjano Shehaj. Sezoni artistik më parë u mbyll në teatrin e qytetit e Fierit me shfaqjen premierë, “Testamenti i ri”. Një komedi nga Violeta Trebicka, që përcolli emocione te artdashësit fierakë. Historia e një testamenti të harruar shërben si pretekst për të zbuluar problemet e thella në çift. Një martesë e bazuar në shtirje, keqkuptime, gënjeshtra dhe tradhti. Pas situatave sa komike aq edhe njerëzore lind pyetja: Kur dy njerëz nuk duhen më, a duhet të jetojnë së bashku?! Vepra e autorit Sacha Guttry me interpretimin e aktorëve të njohur pas skenës së teatrit të Fierit erdhi edhe në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në mbrëmjet e para të muajit korrik. Në skenën e teatrit “Bylis” përgjatë vitit veç shfaqjeve teatrore herë pas here zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme, mes tyre dhe ato që janë për të rinjtë.
Sezoni i kaluar artistik
Gjatë sezoni artistik të kaluar në teatrin “Bylis” në skenë për publikun ishin tre shfaqje teatrore premierë dhe dy shfaqje rivënie. Në sezonin e kaluar artistik veprat teatrore premiera në skenën e teatrit “Bylis” në Fier ishin “Pleqëri me halle ” (“Banja”) – komedi, regjisore Eljona Thomaraj; “Testamenti i ri” – komedi, regjisore Violeta Trebicka; “Një mbrëmje në teatër” – komedi, regjisor Xhuljano Brisku. Ndërsa shfaqje rivënie në teatër në skenë ishin “15 ditë Prilli”, dramë satirë, regjisore Driada Dervishi; “Klani i të divorcuarve”, komedi, regjisore Andia Xhunga. Në muajin mars këtë vit u hap dhe thirrja për aplikim për projektet teatrore për teatrin e Fierit, ku sipas njoftimit më parë nga Bashkia e Fierit produksionet teatrore do të pasuronin jetën kulturore për vitin 2025.