Zjarret masive që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të Shqipërisë gjatë ditëve të fundit kanë bërë jehonë në mediat më të mëdha ndërkombëtare, përfshirë agjencinë prestigjioze të lajmeve Associated Press (AP).
Në një raport të publikuar të mërkurën, AP përfshiu Shqipërinë në mesin e vendeve më të prekura nga valët e të nxehtit dhe flakët shkatërruese që kanë pushtuar Mesdheun.
“Një 80-vjeçar humbi jetën në një zjarr në jug të Tiranës,” shkruan AP, duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë evakuuar banorët e katër fshatrave në qendër të vendit, pranë një depoje të vjetër armësh.
Agjencia raportoi gjithashtu se në qarkun jugor të Korçës janë dëgjuar shpërthime të forta, të shkaktuara nga predha të Luftës së Dytë Botërore të varrosura nëntokë.
Sipas AP, Shqipëria është bërë pjesë e një përpjekjeje të gjerë rajonale për të përballuar situatën e rënduar të zjarreve, me ndihmë që ka ardhur edhe nga shteti fqinj, Greqia, e cila po përballet me dhjetëra vatra aktive në territorin e saj. “Athina dërgoi ndihmë për Shqipërinë si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të luftuar dhjetëra zjarre,” shkruan agjencia amerikane.
Zjarret kanë shkatërruar dhjetëra shtëpi në Shqipëri, ndërsa autoritetet raportojnë dëme të konsiderueshme edhe në pyje dhe sipërfaqe bujqësore. Situata paraqitet e vështirë për shkak të temperaturave ekstreme dhe mungesës së reshjeve, ndërsa ekipet e emergjencës janë në gadishmëri të plotë.
Përballë një vere gjithnjë e më të ashpër dhe me fenomene ekstreme që po godasin mbarë Mesdheun, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shpesh pjesë e hartës së emergjencave natyrore që ndjekin nga afër edhe mediat ndërkombëtare.
“Vendi po përballet me flakë vdekjeprurëse”/ Zjarret masive në Shqipëri në fokusin e mediave prestigjoze ndërkombëtare
