Kryeministri Edi Rama është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, një nderim për personalitete të nivelit të lartë.
Medaljen e Nderit të dorëzuar në një ceremoni të posaçme, në Rezidencën Presidenciale në Jerusalem, Rama e konsideroi nderim për shembullin që shqiptarët i lanë botës, duke mos dorëzuar asnjë hebre të vetëm te nazistët.
Rama: Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa në fillim të saj. Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë,Hamasi nuk është lëvizje rezistence.
Presidenti i Izraelit Isaac Herzog, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa u kthye pas në kohën kur Shqipëria dha kontributin për mbrojtjen e hebrenjve.
Herzog: Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore.
Kreu i qeverisë ndodhet në një vizitë dy ditore në Izrael, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar vitin e shkuar me qendrën spitalore universitare “Sheba Medical Center” në Tel Aviv./vizionplus.tv
