Shkurton distancën dhe kohën, aksi Berat–Ballaban drejt finishit, ja kur bëhet i aksesueshëm për qytetarët

Punimet për ndëritmin e aksit rrugor Berat-Ballaban kanë avancuar, pasi së fundmi është hapur traseja në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe po punohet paralelisht për ndërtimin e mureve mbajtës si dhe ndërtimin e shtresave.
Ndërkohë, ka nisur edhe hedhja e binderit në kilometrat e parë të kësaj vepre.
Deri më tani janë realizuar më shumë se 50% e punimeve fizike, teksa synimi është që brenda këtij viti aksi të jetë i aksesueshëm për automjetet.
Projekti prek dy qarqe dhe disa bashki, do të shkurtojë jo vetëm kohën dhe distancën e udhëtimit, por do të ketë një ndikim në të gjithë zonën me potenciale të mëdha bujqësore dhe turistike.
Kantieri pritet të përfundojë brenda muajit tetor, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm kjo rrugë synohet të kthehet në një lidhëz të rëndësishme për turizmin.
Aksi rrugor Berat-Ballaban nis në dalje të qytetit të Beratit dhe përfundon në fshatin pranë urës së Ballabanit.