Thellohet skandali, interneti nën kontrollin e qeverisë para 11 Majit, zbardhet skema…

Thellohet skandali i mbikëqyrjes masive në Shqipëri. Qeveria ka zbuluar se në kompanitë e internetit dhe të telefonisë celulare janë instaluar 7 pajisje të fuqishme DPI (Deep Packet Inspection), të cilat mund të monitorojnë dhe analizojnë çdo informacion që kalon në rrjetet e internetit. Kjo lëvizje ka ngritur alarmin për shkelje të privatësisë dhe mundësi për përgjim të qytetarëve, duke përfshirë analizën e mesazheve, videove, dhe aktiviteteve online. Pajisjet DPI janë një teknologji që përdoret nga regjimet autokratike për të monitoruar dhe censuruar informacionet, dhe tashmë mund të kenë hyrë në Shqipëri me pretekstin e bllokimit të TikTok. Përgjimi mund të shtrihet dhe përtej aplikacioneve si TikTok, duke goditur të gjitha komunikimet dhe aktivitetet që mund të konsiderohen “të dyshimta” nga qeveria.
Sipas ekspertëve të teknologjisë, këto pajisje nuk janë thjesht për të bllokuar një aplikacion, por për të pasur një kontroll të plotë mbi gjithë trafikun e internetit, duke analizuar çdo lloj informacioni që kalon në rrjet. Kjo është një teknologji e përdorur nga shtete të tilla si Kina, Rusia dhe Irani, për të mbajtur nën kontroll çdo përpjekje për të sfiduar pushtetin.
Skema
Por në një zhvillim shqetësues, është zbuluar se kompania Vodafone ka instaluar këto pajisje me dëshirë, ndërsa One, duke kuptuar se kemi të bëjmë me shkelje ligjore, ka pasur një rol pasiv. Ky veprim ka ngritur pyetje të mëdha mbi transparencën dhe mundësinë për keqpërdorim të këtyre pajisjeve. Në fakt, ekspertët dyshojnë se bllokimi i TikTok ishte vetëm një justifikim për të instaluar DPI dhe për të përfituar mundësinë e një mbikëqyrjeje të plotë, veprim që ka ndodhur nën dritën e një vendimi të diskutueshëm nga kryeministrin Edi Rama, i cili lidhi këtë bllokim me një ngjarje tragjike që nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me aplikacionin TikTok. Igli Tafa, drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, mund të ketë siguruar publikun se “trafiku i internetit është i koduar dhe i sigurt”, por kjo nuk mjafton për të qetësuar ata që kanë ngritur alarmin mbi mundësinë e abuzimit të kësaj teknologjie. Ndërkohë, ekspertët e teknologjisë, si Besmir Semanaj, kanë theksuar se kjo mund të jetë vetëm fillimi i një periudhe të errët për lirinë e internetit në Shqipëri, duke ndjekur modelin e përdorur nga shtete me regjim autoritar, ku DPI përdoret për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe për të ndaluar çdo përpjekje të mundshme për të sfiduar pushtetin.
Por kjo situatë ka ngritur frikën se përdorimi i këtyre pajisjeve mund të shndërrohet në një armë të fuqishme për censurën dhe mbikëqyrjen e gjithçkaje që ndodh në internet, duke ndikuar në mënyrë dramatike në privatësinë e qytetarëve. Për më tepër, dyshimet mbi përdorimin e DPI për qëllime të tjera, përtej bllokimit të TikTok, kanë nxitur shqetësime në lidhje me mundësinë që qeveria të mbikëqyrë çdo komunikim, çdo postim dhe çdo aktivitet të përdoruesve të internetit në vend, duke rrezikuar të drejtat themelore të qytetarëve. Pra Shqipëria është tani në një pikë kthese, ku përdorimi i teknologjisë DPI mund të transformohet në një mjet për të mbajtur nën kontroll çdo lloj kritike ndaj pushtetit dhe për të penguar lirinë e shprehjes, veprime këto që vijnë para zgjedhjeve të 11 majit. Dhe kjo nuk është thjesht një shqetësim për përdoruesit e internetit, por një kërcënim për demokracinë dhe lirinë e individëve.
Reagon Qeveria
Konkretisht qeveria ka pranuar se në kompanitë e internetit dhe të telefonisë celulare janë instaluar 7 pajisje DPI (Deep Packet Inspection), të afta për të analizuar dhe kontrolluar në detaje informacionet që qarkullojnë në internet. Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa u përpoq të qetësojë publikun, se nuk ka asnjë rrezik përgjimi, teksa siguroi se një bisedë në whatsapp, apo në aplikacionet e tjera të komunikimit është e sigurtë. “100% e trafikut të internetit është i inkriptuar (koduar). Protokollet e inkriptuara e bëjnë të pamundur shikimin e informacionit sensitiv që është kush komunikon me kë dhe çfarë kanë mesazhet”, tha ai për TCH.
Njësoj edhe një vartës i tij, në të njëjtin komunikim siguroi se pajisjet ishin blerë vetëm për të bllokuar aplikacionin Tik Tok dhe do të përdoreshin për një periudhë një vjeçare, për aq kohë sa Tik Tok do të bllokohej në celularët në territorin e Shqipërisë. Por pajisja ‘Deep Packet Inspection’, DPI nuk është një ‘fireëall’ i thjeshtë. Ajo ngjan më shumë me një lupë, që kur vendoset në serverë para zgjedhjeve, nuk bllokon vetëm ‘signature’ të TikTok, por është e aftë të kontrolloje lëvizjen e çdo zëri kritik, të çdo lajmi që denoncon skandalet e korrupsionit, të çdo videoje që nuk është xhiruar nga dronët e kryeministrisë, të çdo meme që s’është montuar nga propagandistët e Rilindjes.
Si përdoret DPI nga autokracitë më të zëshme në botë
Kina përdor DPI si pjesë të ‘Great Firewall of China’. Me anë të DPI, arrin të bllokojë në kohë reale fjalë si ‘Tiananmen’, ‘Dalai Lama’, ‘demokraci’, etj. Autoritetet kineze mund të skanojnë përmbajtjen e çdo faqeje që hap një përdorues dhe nëse nevojitet, mund të ndërpresin komunikimet, kur zbulojnë aplikacione si Signal apo protokollet e VPN-ve. Që prej vitit 2019, Rusia ka vendosur përdorimin e DPI si pjesë e ligjit për ‘Internetin Sovran’. Kompania Rostelecom, në bashkëpunim me FSB, ka vendosur pajisje DPI në rrjetet kryesore ISP për bllokim të menjëhershëm të faqeve si Meduza, Radio Free Europe, Navalny.com. Po ashtu, ka si qëllim edhe gjetjen dhe çaktivizimin e përdoruesve që përdorin VPN ose Tor. Sigurisht që mbikqyrja e rrjeteve sociale gjatë protestave është një procedurë rutinë.
Gjatë protestave në vitin 2022 pas vrasjes së Mahsa Amini, regjimi iranian përdori DPI për të zbuluar vendndodhjen dhe përmbajtjen e komunikimeve në Telegram dhe ëhatsApp dhe për të penalizuar qytetarët që përdornin mjete anonimizimi. Sipas Amnesty Tech, DPI në Iran është importuar nga kompani kineze dhe ruse, përfshirë ZTE dhe Huawei. Nuk mbetet pas edhe Turqia, ku censura shtetërore qëndron në aleancë me NATO-n. Turqia ka instaluar DPI në rrjetet e saj të telekomunikacionit për të monitoruar përdoruesit gjatë protestave në Gezi Park dhe pas grushtit të shtetit në 2016. Autoriteteve iu desh edhe për të bllokuar aplikacione të kriptuara si ProtonMail dhe Signal dhe për të analizuar në kohë reale mesazhe në rrjete sociale për përmbajtje ‘kundër shtetit’. Për regjimet autokratike, DPI nuk është thjesht një mjet teknologjik, por një armë për të ruajtur pushtetin, një algoritëm që ka aftësinë të dirigjojë censurën edhe në botën e pakufishme të internetit.
Eksperti i teknologjisë: Sot ndjej frikë për privatësinë e internetit
Prej ditësh, ekspertë të teknologjisë kishin ndezur alarmin se qeveria shqiptare i kishte blerë pajisjet DPI me pretekstin e bllokimit të TikTok, por në të vërtetë mund t’i përdorte  për përgjimin dhe dirigjimin e trafikut në internet, njësoj siç përdoret nga autoritetet në Kinë, Iran, Rusi, Turqi etj. I pari që hodhi alarmin mbi mundësinë e mbikëqyrjes së të dhënave në internet me këtë pajisje ishte eksperti i teknologjisë, Besmir Semanaj. ‘Është hera e parë që ndjej realisht frikë për privatësinë dhe lirinë e përdorimit të internetit në vend’ shkruante ai që në datën 23 mars. Më vonë, ai sqaroi edhe përdorimin e DPI, të cilën e quajti “një teknologji që u lejon ofruesve të internetit (ISP) ose autoriteteve të inspektojnë në mënyrë të detajuar përmbajtjen e paketave të të dhënave që kalojnë nëpër rrjet”.
Funksionet e DPI sipas ekspertit të teknologjisë, Besmir Semanaj

Mund të dallojë llojin e trafikut (video, tekst, aplikacion i caktuar si TikTok, VPN etj).
Mund të bllokojë, ridrejtojë ose modifikojë trafikun në kohë reale.
Mund të monitorojë sjelljen e përdoruesve në internet në nivel shumë të detajuar.

Pse përdoret DPI?

Për kontroll dhe censurë (si në rastin e TikTok)
Për siguri kibernetike (p.sh. zbulimi i malware)
Për optimizim trafiku ose menaxhim të rrjetit (QoS)
Për mbikëqyrje masive, që është shqetësuese nga aspekti i të drejtave të njeriut.

Rreziqet për privatësinë e qytetarëve:

Mbikëqyrje masive – DPI mund të analizojë çdo gjë që bëjmë online në kohë reale.
Shkelje e të drejtës për privatësi – Edhe nëse nuk bllokon asgjë, vetë fakti që monitoron krijon një ambient të frikshëm.
Keqpërdorim i të dhënave – Nëse qeveria ose ISP-t nuk janë transparentë, të dhënat mund të përdoren për qëllime politike, ndëshkime, ose manipulime.
Mungesë transparence dhe kontrolli nga publiku – Nëse DPI vendoset pa kuadër ligjor të qartë, nuk ka as mekanizëm ankese e as garanci për të drejtat themelore.

Dyshimet: TikTok ishte preteksti, DPI ishte qëllimi
Bllokimi i TikTok ishte një vendim që u mor personalisht nga kryeministri Edi Rama dhe ai e justifikoi atë me një arsye të dyshimtë, siç ishte vrasja e adoleshentit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë. Vetëm se ajo që dinë të gjithë, është fakti se shkak i konfliktit që çoi në vrasjen e 14-vjeçarit nuk ishte Tik Tok, pasi autori i krimit përdori Snapchat pas vrasjes, një rrjet social që është ende i aksesueshëm. Prandaj, kur kryeministri e quajti TikTok ‘rrugaçin e lagjes’ dhe paralajmëroi mbylljen e aplikacionit, reagimi i tij ekstrem shkaktoi habi. Edhe sepse Rama nuk e ka pasur kurrë problem të bëjë pakt me rrugaçët e vërtetë, të cilët i promovoi duke i propozuar deputetë dhe kryetarë bashkie.
Gjasat janë që si vrasja e Martin Canit, ashtu edhe mbyllja e Tik Tok ishin pjesë e një plani për të futur në punë pajisjet DPI sipas formulës së gatshme nga autokratë të tjerë në botë: 1) gjej një krizë, 2) shpik një armik dhe 3) shto kontrollin mbi popullsinë.