Dyshime të forta për përfshirjen e njerëzve të Edi Ramës në bandën e përgjuesve të SPAK, njerëzit e…

Një skandal me përmasa të frikshme ka plasur së fundmi në zyrat e drejtësisë, ku përplasja mes hetimit penal dhe pushtetit politik ka vënë në qendër të vëmendjes figura të rëndësishme të Partisë Socialiste.  Rrjedhje materialesh hetimore, marrje në pyetje, akte, dokumente të tjera të siguruara nga institucionet, këqyrje telefonash, informacione sekrete, të cilat i kanë rrjedhur SPAK-ut, pra hetime për personazhe të ndryshme apo fraksione dosjesh hetimore, kanë rënë në duar të gabuara. Në skemën që po hetohet nga SPAK dyshohet se janë përfshitë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
Skema e përfshirjes: Nga administrata, drejt dhomave të pushtetit
Dy personat e vënë në pranga nga SPAK, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, janë akuzuar për mbajtje dhe shpërndarje të materialeve sensitive hetimore. Këto të dhëna nuk qëndruan vetëm në telefonat e tyre, por rezulton se kanë përfunduar edhe në duart e individëve të tjerë të lidhur me strukturat e larta të qeverisjes, si Agim Ismaili, ish-drejtor i disa institucioneve kyçe të shtetit dhe Dritan Palnikaj, aktualisht zyrtar në Ministrinë e Arsimit. Të dy të arrestuarit kanë qenë funksionarë publikë: njëri në sistemin e burgjeve dhe tjetri pranë strukturave të IMT-së në Vlorë. Ajo që i lidh është fakti se të dy janë emëruar në pozita të drejtuara më parë nga Agim Ismaili, një figurë me profil të lartë brenda Partisë Socialiste dhe bashkëpunëtor i njohur i Fatmir Xhafajt dhe Agaçit. Një tjetër detaj domethënës është vendndodhja e zyrës që SPAK ka kontrolluar, e cila ndodhet në godinën ETC, që dyshohet se në të njëjtin kat ku ndodhet edhe zyra e deputetit socialist Fatmir Xhafaj, e cila u kontrollua pak javë më parë nga BKH.
Pikërisht aty, ka dyshime se Agim Ismaili ka ngritur një hapësirë të ngjashme me një agjenci informale hetimi, ku grumbulloheshin të dhëna jo vetëm nga dosjet e SPAK-ut, por edhe për politikanë dhe figura të tjera të rëndësishme publike. Dyshohet se ky ambient ishte i pajisur me teknologji të avancuar përgjimi dhe përdorej për qëllime të dyshimta. Por lidhjet shkojnë edhe më tej: nipi i Ismailit, Dritan Palnikaj i cili është thirrur në SPAK, ka shërbyer si sekretar i Xhafajt në Ministrinë e Brendshme dhe aktualisht mban një post të rëndësishëm në Ministrinë e Arsimit. Në telefonin e tij janë gjetur gjithashtu materiale hetimore, duke e thelluar më tej dyshimin për përfshirje në rrjetin e shpërndarjes së informacionit.
Pra, lidhja mes personazheve nuk është thjesht e karakterit familjar apo politik, por përkon me një rrjet të mirëorganizuar të punësuarish dhe bashkëpunëtorësh, që kanë lëvizur brenda të njëjtave struktura shtetërore dhe kanë pasur akses të drejtpërdrejtë në informacione sensitive. Dyshimet e SPAK-ut janë të qarta: ky nuk është thjesht një rast sporadik rrjedhjeje informacioni. Sipas burimeve, kemi të bëjmë me një veprimtari të qëllimshme, që mund të ketë funksionuar prej kohësh me qëllimin për të ndikuar në proceset gjyqësore apo për të ushtruar presion publik mbi gjyqtarë dhe prokurorë përmes kanalizimit të materialeve në media.
Reagon Xhafaj
I vendosur në epiqendër të kësaj stuhie politike dhe hetimore, Fatmir Xhafaj ka reaguar ashpër dje, duke mohuar çdo lidhje me këtë çështje dhe duke akuzuar oponentët për organizimin e një fushate të ndyrë për ta njollosur. Ai i ka cilësuar akuzat si “sajesa të turpshme” dhe ka mohuar kategorikisht çdo kontroll në zyrën e tij, sekuestrim dokumentesh apo ndërhyrje të paligjshme në sistemin e drejtësisë. Në një reagim të gjatë publik, Xhafaj thekson se përpjekjet për ta dëmtuar politikisht nuk janë të reja, dhe se ai do të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt zgjedhjeve të 11 majit, ku synon të marrë sërish votëbesimin e qytetarëve. Megjithëse akuzat janë ende në fazën e hetimeve dhe nuk ka një vendim përfundimtar, ky rast ka ndezur alarmin për mënyrën se si mund të manipulohen të dhënat sensitive të shtetit dhe për lidhjet e mundshme të pushtetit me rrjete informale brenda institucioneve.
Nëse SPAK arrin të provojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve të lartë në këtë rrjet, atëherë do të kemi të bëjmë me një nga krizat më serioze të besimit publik në sistemin e drejtësisë dhe integritetin e administratës.