Një i vdekur dhe katër të plagosur nga të shtënat në Tetovë, plumbat s’kursejnë as kalimtarët

Një 46-vjeçar nga Tetova humbi jetën nga incidenti i armatosur në Tetovë që ndodhi sot në mesditë në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” me rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, pas një shkëmbimi me armë zjarri nga dy automjete, që la pas edhe katër të plagosur.

Dëshmitarët në vendngjarje thanë se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se makina nga ku u sulmua, u largua me shpejtësi.

“Automjeti që është drejtuar drejt rrugës “113” është një automjet pasagjerësh “Ford Fiesta” me targa të Tetovës. Gjatë kontrollit është konstatuar se bëhet fjalë për targa të çregjistruara nga i njëjti automjet, në pronësi të personit E.M.(19) nga fshati Gajre e Tetovës. Gjatë marrjes së masave, në kryqëzimin e rrugës “Bllagoja Toska” me rrugën “107” është gjetur një automjet pasagjerësh “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës, në pronësi të F.R.(46) nga Tetova, ndërsa brenda automjetit është gjetur një person i vdekur me plagë nga arma e zjarrit”, thonë nga SPB Tetovë.

Nga të shtënat u lënduan edhe dy kalimtarë të rastit. Një vajzë 12-vjeçare, e cila me plagë në këmbë është dërguar në Spitalin e Tetovës, si dhe një i moshuar i cili është transportuar në Qendrën Klinike në Shkup si rast urgjent.

Gjithasht në spitalin Klinik-Tetovë janë transferuar tre persona me lëndime nga të cilët një vajzë e mitur nga Tetova me plagë nga arma e zjarrit, e cila është mbajtur nën vëzhgim. Ndërsa dy persona të tjerë, O.O.(34) dhe R.T. me plagë nga arma e zjarrit, si raste urgjente janë transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup. Në shkëmbim zjarri nga automjetet është lënduar edhe një këmbësor A.S.(60) nga Tetova, i cili ishte kalimtar i rastit dhe është transferuar në klinikat e Shkupit. Nga Spitali i Tetovës, thuhet se 4 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore me lëndime të ndryshme nga të shtënat me armë zjarri.

“Rreth orës 12:20, në Urgjencën e Spitalit Klinik të Tetovës janë sjellë katër pacientë me lëndime të ndryshme trupore: 1. A.S., 60 vjeç, me frakturë në pjesën e këmbës, 2. R.T., 37 vjeç, me trup të huaj në regjionin e kraharorit, 3. D.R., 12 vjeç, me trup të huaj në pjesën e femurit, 4. O.O., 32 vjeç, me trup të huaj në zonën e gjoksit. Pas ekzaminimeve të menjëhershme mjekësore dhe trajtimit sipas protokolleve të urgjencës, pacientët janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Klinikën Universitare në Shkup. Spitali Klinik i Tetovës mbetet i përkushtuar në ofrimin e ndihmës mjekësore të shpejtë dhe profesionale në të gjitha rastet urgjente” thuhet në raportin e Spitalit të Tetovës.

Autoritetet janë vënë në kërkim të autorëve, ndërsa jo zyrtarisht dyshohet që autorët të kenë lëvizur në drejtim të Jazhincës drejt kufirit me Kosovën. Dyshimet janë se bëhet fjalë për rast hasmërie mes familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje nga fshati Gajre. Deri më tani, si pasojë e përplasjeve të armatosura ka pasur disa viktima nga të dyja familjet.