Policia e Lezhës dhe Kurbinit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Last Door”, që ka çuar në zbardhjen dhe dokumentimin e një sërë vjedhjesh dhe tentativash vjedhjeje në zonat e Lezhës dhe Laçit.
Si rezultat i operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, u kap dhe u arrestua shtetasi në kërkim F. D., 25 vjeç, banues në Laç, Kurbin.
Sipas hetimeve, 25-vjeçari dyshohet se është autor i:
disa vjedhjeve me thyerje të automjeteve dhe banesave;tentativave për vjedhje në lokale në zona të ndryshme të Lezhës;vjedhjeve në bar-lokale, restorante, agjenci udhëtimi dhe supermarkete në Laç.Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të dyshuar kokaine.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të dyshuar, shtetasit M. D., 26 vjeç, banues në Kurbin, i shpallur në kërkim për përfshirje në të njëjtat vepra penale.
Policia bën me dije se po vijojnë hetimet për të dokumentuar edhe ngjarje të tjera ku dyshohet përfshirja e këtyre shtetasve.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.
Zbardhen disa vjedhje në Lezhë dhe Laç, arrestohet 25-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori
