“Rozafa” opera legjendë me tre akte dhe gjashtë tablo premierë botërore në skenë. Vepra e kompozitorit David Tukiçi (Mjeshtër i Madh), me libret të shkrimtarit dhe dramaturgut të shquar Fadil Kraja (Mjeshtër i Madh) u shfaq në sallën e Universitetit të Arteve. Muzika u luajt nga Orkestra e Harqeve e RTSH drejtuar nga dirigjenti Olsi Qinami. E ndarë në tre akte dhe gjashtë tablo, kjo vepër solli në skenë një kast të njohur artistësh. Në njoftimin e Orkestrës thuhet se artistët interpretuan me mjeshtëri legjendën e njohur shqiptare të sakrificës sublime. “Rolin e Rozafës, nusja e vëllait më të vogël, Ujkanit, shkëlqeu soprano Ardita Meni. Tenori i jashtëzakonshëm Josif Gjipali portretizoi me ndjeshmëri dhe perfeksion karakterin e Ujkanit, vëllait të tretë, duke sjellë në jetë dramën e tij të brendshme. Në rolin e Ajkunës, nënës së tre vëllezërve që ndërtojnë kalanë soprano e mirënjohur Marjana Leka emocionoi publikun me zërin dhe interpretimin e saj.
Baritoni brilant Armando Likaj u ngjit në skenë si plaku i urtë, figura mistike dhe profetike e operës, duke dhënë një interpretim mbresëlënës me autoritetin dhe thellësinë e zërit të tij. Bledar Domi si Beci, vëllai i dytë dhe bashkëshorti i Xhixhës, solli një portretizim të ndjeshëm të një burri të ndarë mes detyrës dhe dashurisë. Në krah të tij, Greta Zani, si Xhixha, portretizoi dhimbjen e një gruaje që përballet me fatin e pashmangshëm”, thuhet për shfaqjen operistike. Jurgest Tomori, si vëllai i madh Sokoli, dhe Suada Gjergji, si e shoqja e tij Tana, sollën një tjetër dimension të dramës familjare, duke interpretuar me thellësi marrëdhënien mes sakrificës dhe detyrimit. Një moment veçanërisht prekës ishte zëri i Rozafa Etemit. Formacioni i harqeve i Orkestrës Simfonike RTSH solli në jetë fuqinë dhe ndjeshmërinë e partiturës së David Tukiçit nën dirigjimin e Olsi Qinamit.
Një kontribut të rëndësishëm i dha kori i studentëve të Universitetit të Arteve, nën drejtimin e mjeshtrit të korit Bujar Alliu. Koncermaester Ardita Bufaj harmonizoi me profesionalizëm lidhjen midis solistëve dhe orkestrës. Bebeka Alla portretizoi personazhet me mjeshtrinë e saj të grimit dhe parukeve. Skenografia dhe regjia e veprës David Tukiçi. Kjo vepër u shfaq mbrëmjen e datës 4 prill.
Opera “Rozafa” në sallën e Universitetit të Arteve, një premierë botërore e kompozitorit David Tukiçi
