Vendimi mund të përmbysë tregun global të arit, thonë analistëtSHBA ka vendosur tarifa mbi importet e shufrave të arit një-kilogramë, një lëvizje që rrezikon të tronditë tregun global të arit dhe t’i japë një goditje të re Zvicrës, qendra më e madhe e rafinimit në botë. Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP) tha se shufrat e arit një-kilogramëshe dhe ato prej 100 ons duhet të klasifikohen sipas një kodi doganor që i nënshtrohet tarifave, sipas një të ashtuquajture “letër vendimi” të datës 31 korrik. Letrat e vendimit përdoren nga SHBA për të sqaruar politikën e saj tregtare.Vendimi i CBP bie në kontrast të fortë me pritshmëritë e mëparshme të industrisë se këto lloje shufrash ari duhet të klasifikoheshin sipas një kodi tjetër doganor, i përjashtuar nga tarifat e vendosura nga Trump në mbarë vendin. Shufrat një-kilogramëshe janë forma më e zakonshme e tregtimit në Comex, tregu më i madh i kontratave të së ardhmes për ar në botë, dhe përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve të arit të Zvicrës drejt SHBA-së.Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Bernës janë përkeqësuar pasi SHBA javën e kaluar njoftoi një tarifë 39 për qind mbi importet nga Zvicra. Ari është një nga eksportet më të mëdha të Zvicrës drejt SHBA-së, tregojnë të dhënat doganore. Vendimi për tarifat ka dhënë “një goditje tjetër” për tregtinë e arit të Zvicrës me SHBA-në, tha Christoph Wild, president i Shoqatës Zvicerane të Prodhuesve dhe Tregtarëve të Metaleve të Çmuara. Ai shtoi se tarifa ndaj arit do ta bëjë të vështirë plotësimin e kërkesës për të.Më herët këtë vit, tregtarët nxituan të sillnin ar në SHBA përpara tarifave të “ditës së çlirimit” të Trump, duke grumbulluar rezerva rekord në Comex dhe duke shkaktuar një mungesë të përkohshme ari në Londër. Megjithatë, kur ato tarifa u shpallën, ato përfshinin përjashtime për shumë mallra, përfshirë një klasifikim të caktuar të arit, i cili u interpretua gjerësisht si i vlefshëm për shufrat e mëdha të arit.Rrjedha globale e tregtisë së arit zakonisht ka formë trekëndore: shufrat e mëdha të arit udhëtojnë midis Londrës dhe Nju Jorkut, përmes Zvicrës, ku shndërrohen në madhësi të ndryshme. Tregjet përdorin madhësi të ndryshme shufrash: Londra përdor një shufër 400 ons troy*, afërsisht sa madhësia e një tulle, ndërsa shufra një-kilogramëshe, afërsisht sa madhësia e një telefoni, preferohet në Nju Jork.Ari ka qenë në një rritje historike këtë vit, duke u rritur me 27 për qind që nga fundi i vitit 2024 dhe duke arritur përkohësisht 3,500 dollarë për ons troy. Frika nga inflacioni, shqetësimet për nivelet e borxhit qeveritar dhe rënia e dollarit amerikan si monedhë rezervë kanë kontribuar në këtë rritje. Zvicra eksportoi 61.5 miliardë dollarë ar drejt SHBA-së gjatë 12 muajve deri në qershor. I njëjti volum tani do t’i nënshtrohej një tarife shtesë prej 24 miliardë dollarësh sipas normës 39 për qind të vendosur ndaj Zvicrës, e cila hyri në fuqi të enjten.“Qëndrimi mbizotërues ishte se metalet e çmuara të rishkrira nga rafineritë zvicerane dhe të eksportuara në SHBA mund të dërgoheshin pa tarifa,” tha Wild. “Megjithatë, klasifikimi me kod doganor për produktet e ndryshme të arit nuk është gjithmonë i saktë.”Disa rafineri zvicerane thanë se kishin kaluar muaj të tërë me avokatë për të përcaktuar se cilat lloje produktesh ari mund të përjashtoheshin ose jo. Dy rafineri thanë se kishin reduktuar përkohësisht ose ndalur dërgesat drejt SHBA-së për shkak të pasigurisë. Letra e vendimit, që ishte përgjigje ndaj një kërkese zyrtare për sqarim nga një rafineri zvicerane, tha se shufrat një-kilogramëshe dhe ato prej 100 onsesh përfshiheshin nën kodin e klasifikimit 7108.13.5500 dhe se ato nuk përfshiheshin në kodin 7108.12.10, i vetmi kod i përjashtuar nga detyrimet doganore. / FT * 1 ons troy (ounce troy) është 31,1034768 gramë.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
SHBA, tarifa për shufrat e arit njëkilogramëshe, goditje për Zvicrën, qendra më e madhe e rafinimit
