Shqipëria me çmimet më të larta në Europë për pajisjet shtëpiake, 45% mbi mesataren e BE-së

Elektro-shtëpiaket në Shqipëri kanë çmimet më të larta në Europë.Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se çmimet e pajisjeve elektro-shtëpiake në Shqipëri janë sa 145.8% të mesatares së Bashkimit Europian për vitin 2024. Kjo e rendit vendin tonë në krye të listës ndër 35 vende europiane të monitoruara nga Eurostat, përfshirë anëtarët e BE-së, vendet e EFTA-s dhe Ballkanin Perëndimor.Pajisjet shtëpiake, përfshijnë produkte si frigoriferë, lavatriçe, soba, lavastovilje etj. Në Shqipëri këto produkte kushtojnë gati 46% më shumë se mesatarja europiane, pasi llogariten sipas fuqisë blerëse të popullsisë.Shqipëria rezulton ndjeshëm më e shtrenjtë se vendet e rajonit. Në Serbi çmimet e elektroshtëpiakeve janë 10.7 % më shtrenjte se BE, Turqia 13.9%, Bosnjë dhe Hercegovina, 1.4% më shumë, Mali i Zi  0.5% me lirë se BE, Maqedonia e Veriut 4.1% më shtrenjtë se BE-ja.Shqipëria është shumë më e shtrenjtë edhe në krahasim me vendet më të zhvilluara të Europës si Gjermania (99.5%), Franca (105.1%) apo Spanja (97.3%).Ndër vendet me çmimet më të ulëta për pajisje shtëpiake janë Lituania  87.5% të mesatares së BE-së. Sllovakia 89.5%, Polonia 91.7%, Rumania  92.6%.Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se nivelit të lartë të çmimeve nuk i përgjigjet cilësia e produkteve të ofruara. Në shumë raste, konsumatorët shqiptarë blejnë pajisje me çmim të lartë, por me jetëgjatësi të kufizuar, mungesë standardesh dhe garanci jo reale.Ndër pajisjet më problematike raportohen lavatriçet, frigoriferët dhe kondicionerët, të cilët në tregun shqiptar shpesh vijnë të prodhuar për tregje të tjera me standarde më të ulëta, pa dokumentacion mbi përputhshmërinë me direktivat e BE-së (si etiketimi energjetik).Shumë pajisje importohen nga tregje të lira si Turqia, Kina apo vendet e Lindjes, shpesh përmes kanaleve informale. Këto produkte prishen shpejt dhe më pas shitësit i shmangen përgjegjësisë për mirëmbajtjen sipas garancisë.Në një vend ku të ardhurat për frymë janë ndër më të ulëtat në Europë sa 35% e mesatares se BE-së, çmimet e pajisjeve shtëpiake që tejkalojnë edhe vendet nordike si Suedi (118.3%), Norvegji (110.8%) apo Zvicër (120.5%), krijojnë një paradoks ekonomik dhe social. / B.HoxhaBurimi: EurostatKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.