(10 dhjetor 1889 – 25 korrik 1924)
Azem Bejta – Galica, ishte prijësi i shquar i Lëvizjes Kaçake të Kosovës (1915 – 1924).I ati i tij, Bejtullahu u vra nga pushtuesit turq, më 1906 gjatë një revolte të cilën e shtypi në gjak, Shemsi Pasha.
Gjatë kryengritjeve të vitit 1910-1912, Azem Bejta, ashtu si edhe krejt Drenica, luftuan bashkë me Isa Boletinin në kuadër të Lëvizjes për Pavarësi.Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, në fund të vitit 1912, Azem Galica u arrestua nga ushtria serbe dhe u dërgua në kampin e Runikut. Duke ikur prej aty, u plagos dhe u zu sërish rob. Kësaj radhe e dërguan në Ndëshkimoren e Pozharevcit. Si duket ai ishte arratisur prej aty dhe, pastaj, bashkë me vëllezërit del në mal, kaçak.
Në vitin 1915, në një rrethim nga forcat serbe, u vranë të dy vëllezërit e mëdhenj, prej babe, Seferi dhe Zeneli. Po atë vit Azem Bejta u martua me gruan dhe shoqen e armëve, Shote Galicën.Pas ripushtimit të Kosovës, 1918, Lëvizja Kaçake u zgjërua dhe u forcua. Në orientimin politik të saj kishte një ndikim thelbësor, prijësi i shquar i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Hasan Prishtina dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, me seli në Shkodër.
Me udhëzimet e tyre Azem Galica, udhëhoqi kryengritjet e përgjakshme kundër pushtuesve serbë-jugosllavë në vitet 1921-1924 dhe mbrojti Zonën Neutrale të Junikut.Në rrethimin e fundit, mesi i korrikut 1924, Azem Bejta plagoset për vdekje dhe, në natën mes 25 e 26 korrikut 1924 vdes dhe shokët e armëve e varrosin në një shpellë, e njohur me emrin Quku që kërcet, në fshatin Përçevë, komuna e Klinës. Varri i tij do të zbulohet më 1971, pra 47 vjet më vonë, nga mësuesi Avdyl Krasniqi, përndryshe babai i Xhevë Lladrovcit.
Pas vrasjes së Azem Galicës Lëvizja Kaçake u shua gradualisht dhe shtypja e terrori serb mori përmasa katastrofike që u reflektuan me shpërngulje masive të shqiptarëve për në Turqi.Ndërkaq, gruaja e Azem Bejtës, Shote Galica, u arratis në Shqipëri, ku pas 3 vjetësh, më 3 korrik 1927 vdiq në një mjerim të skajshëm.
Në një letër që Shote Golica ua dërgoi autoriteteve shqiptare, posa doli në Shqipëri, pasqyrohet skamja e tmershme ku ishte katandisur gruaja dhe bashkëluftëtarja e Prijësit të famshëm të Lëvizjes Kaçake.Kjo letër trishtuese flet shumë për ato kohë të vështira por edhe për shqiptarët si popull i vonuar, harrestar e mosmirënjohës.
“Korrik 1924, Shullaz, Krujë *
Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës.Gjindem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me veti. Janë fëmijët e luftarëve të vramë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me fëmijët jetimë.”
*Letra e Shote Galicës është marrë te portali “Konkrete“ / Marrë nga profili i Xhafer Shatri në Facebook /InforCulture.info

Leave a Reply