Nga: Tafil Boletini (Kujtime I)
Pse ka luftue Isniqi me Gash?
Katundin Isniq me katundet Deçan e Cëmobreg i ndan lumi Bistrica, që rrjedh nga malet e larta. Tokat e të dy palëve vaditen në të dy anët me ujin e këtij ulmi, i cili ka shkaktue shumë gjakderdhje nga të dy anët pa ndërpremje. Konflikti ka qenë i vazhdueshëm.
Nji nga familja Dobra, i Cëmobregut, e nxen nji magjup rrogtar të Çetës së Isniqit dhe e burgos. Çetajt e Isniqit, si kundërpërgjigje nxanë nji cernabregas dhe e burgosin në katun. Kjo ngjarje pezmaton të dy fiset. Burrat e Gashit grumbullohen në Deçan e Cernobreg, po edhe Isniqi pregatitet. Paria e të dy palëve përpiqen mjaft për me e shue konfliktin në mënyrë paqësore. Ngjarja ban bujë të madhe. Haxhi Zeka shkon në Deçan ku janë tubue burrat e Gashit nga Malsia e Reka. I pari i Deçanit, Dema Alia i thotë:
“Të lutem Haxhi Baba, shkoni deri në Isniq e bani selam Shaban Sadikut. Le t’i dënojnë dy shpij të familjes së Çetës, unë po i dënoj nandë shpij në Cërnobreg si shkaktarë të këtij konflikti dhe mos të vritemi ndër veti, se mjaft jemi vra deri tash”.
Haxhi Zeka shkon në Isniq e ia thotë këto fjalë Shaban Sadikut. Kur kthen Haxhija e presin me padurim:
“E … Haxhi Baba, hajër haberi?”
Haxhija: “E more burra, ku marrin vesh kapadaitë e Isniqit, shamijat mbi sy. Deri tash i kanë marrë haraç nahijes së Pejës e tash po don me i qitë haraç edhe nahijes së Gjakovës”.
Krejt të kundërtën. Kurse Shaban Sadiku i kishte thanë: “Bani selam Dem Alise. Jo nandë shpij, po vetëm dy dënoi, kurse unë po djeg nandë shpij Çetaj e ta ndalojme vllavrasjen”. Në anën tjetër Haxhija ia nep 50 napolona Ali Ibrës të Gashit të Malsisë.
Masa, kur dëgjoi fjalët e Haxhi Babës për kapadait e Isniqit që nuk çajnë kokë, e nxitur edhe nga paria që kishte marrë 50 napolona, o burra e sulmojnë Isniqin.
Mirëpo, kësi hovi nuk ishin ma shpijat prej druni dhe kashte po kulla prej guri, ndaj nuk i afrohen katundit po e nxanë Kodrën e Gështenjës, mbi katund. Nji plakë e Isniqit, që kthehesh nga gjinia për në shpij, kalon aty pari ku ishte nxanë pusia prej Gashi. Njeni nga paria e Gashit, Halit Qerimi i bzani.
“Oj, hallë, ku shkon”?
“Në Isniq”.
“Baju selam kapadaive të Isniqit e thuej: ‘A po vini këtu me ba bajram, apo të vimë na në katund me ba bajram’ (pse ishte ditë bajrami)”.
Plaka, kur vjen në shpij, i tregon të shoqit. I shoqi shkon drejt te Shaban Sadiku, ku ishin mbledhë paria për bajram. Me të hy brenda thotë.
“Mos o zot ma keq për neve. Gashi në gështenjë po na lyp mejdan e na rrimë si gratë. Isniqi ka vdekë” Paria e qërton: ‘Shukat, të mos dëgjojnë djemnia. Ata në katund nuk guxojnë me na mësy, e kthehen e shkojnë”.
Mirëpo, plaku matuf me të dalë, djemnia të mbledhun në shesh tue luejt e këndue, me të madhe pisket:
“Po kollaj asht këtu me lujt e këndue. Gashi mbi shpija po u jep mejdan, po kam drejtë kur them se Isniqi ka vdekë”.
Djemnia alarmohen. Hazir Tishuku, nji nga trimat me famë, e zbraz patllaken dhe te tanë drejt në pozicione të Gashit.
Qe çka më ka kallxue Ali Deçani, plak ma se 70 vjeç:
“Kam qenë i ri. Edhe unë isha bashkë me shokët në prit. Kur u zbraz patllakja u muer vesh se u çue potera. E … more vlla, me të mësy potera e Isniqit si me të mësy Zhaponi”. U mbush lëndina nën gështenja drejt fushës. Hazir Tishuku duert e përvjeluna deri në brryl, me martinë në dorë ju printe. Na u afruen. Halit Qerimi i thirri: ‘O Hazir Tishiku, a do ta nisim larg apo ngat’? ‘Unë po vi aty, ti kur duesh nise, punë për ty’. Pushka plasë. S’qe e mundun me i ndalue. Na ranë sipri. Jemi gri si buburrecat, prite dajë, prite nip. U përziem nëpër gështenjë. Besa na nxorrën nga pozicionet e na qitën tej Bistrice. Në këtë luftë fatkeqe janë vra 40-50 isniqas, burra të digjuem, si Hazir Tishuku e Mal Bajrami, po ashtu edhe nga ana e Gashit pat mase 50 burra të vramë”.
Pyeta pse Haxhija i ndryshoi fjalët e dy të parëve, të Demë Alisë e të Shaban Sadikut. Ja ça më tregoi Ali Deçani me dy pleq deçanas në kullë të Zenun Selimit, në katundin Llukë.
“Haxhi Zeka ka pasë gërr-vërr me Isniq për çështjen e pyllit të Turjakës, ku donte me vendos disa shpija nga Krasniqja, po Isniqi nuk e lejonte pse ishte pasuni e tij. Për këtë vend disa herë Isniqi me Krasniqe, rreth Turjake kanë pasë ba edhe pushkë. Bile Turjakën e përmend edhe kanga:
Dem Isufi i Isuf Haxhisë, ia dha besën Man Abdisë,Ja dha besën në shuplakë, t’i mbarojë kullat në Turjakë”.
Dmth për nji ndihmë që kërkonte nga Man Abdija i Krasniqes, ia dha besën me ndihmue për me e zaptue Turjakën.
Ku me e ditë populli i shkretë për dallaveret e parisë, që për qëllime të veta hakmerreshin me djem të fiseve. Kur jemi pajtue me Isniq e kemi marrë vesh rolin që e luejti Haxhija për me shfry mllanin që kishte me Isniq. Po sa pare ban kur humbën gati 100 djem. Kurse Demë Alia e Shaban Sadiku me djegien e dy-tri shpive fajtore në të dy katundet do ta kishin mbyllë konfliktin.
Fjalët e deçanasve pikërisht m i kanë vërtetue edhe pleqtë e Isniqit. Këta thonin se për shkak të Turjakës, që donte me na zaptue me instalimin e krasniqasve nga Malsia, pa nda ia kemi pa sherrin Haxhi Zekës. Kemi shkue tu u vra me Krasniqe, sidomos me katundin Strellcë, që i kemi fqinj e bile kemi edhe mardhanie krushqije me ta.
Pse asht vra Ali pashë Gusija më 1891
Me 1878, Kongresi i Berlinit. Plavë e Gusi ia dhanë Malit të Zi. Mirëpo, populli i këtyne dy viseve me Ali Begun në krye (ma vonë pashë) e Jakup Ferrin vendosën mos me ia dorzue vatanin Malit të Zi. Lidhja e Prizrenit që ishte formue pikërisht për mbrojtjen e atdheut mori vendim për ndihmat e duhura dhe dërgoi fuqi në ato vise.
Kral Nikolla për zaptimin e Plavës e të Gusisë çoi dy vojvodët ma me famë. Mark Milanin e Kuçit e Todor Milan Vukun e Vasaviqit.
Sikurse dihet, në luftën që u zhvillue në katundin Nokshiq, vijës së lumit Lim, afër Plavës. ushtria e Nikollës u shkatrrue fare Në këtë luftë Jakup Feri me shumë trima ra dëshmor, kurse Ali Begu fitoi famë të madhe, mori titullin pashë dhe u emnue komandant e prefekt në Pejë. Fama e tij preku egoizmin e ambiciozëve të disa parive të Pejës. Si tregojnë pleqët e asaj kohë, në dorë të parë Haxhi Zekën. Mbrenda kohës që ndërmjet Haxhi Zekës e Ali Pashës mënia po shtohesh, nji i qujtëm Met Bali nga Rugova pushohet nga shërbimi i gjindarmërisë. Ку ankohet te Haxhi Zeka. Flitet se Haxhia e paska pasë për zakon që kushdo që i ankohesh për ndonji gja i thueka: “Vraje”. Po kështu i thotë Met Balit. Mirëpo, ky thotë se nuk guxojmë, si me vra pashën? Atëherë Haxhija, për me e kurajue ia çon për shoqnim të birin e Mulla Musës nga Strellci, që e kishte krasniqas e fis. Të kurajuem nga influenca e Haxhi Babës, këta e vrasin pashën kur ishte tue shkue në zyre në kalë, në pikë të ditës e mjedis tregut. Togeri gjindarmerisë, Adem Gocka, që e përcillte pashën, i pregatitun me kohën qet disa pushkë sa për formë dhe kriminelat shkojnë pa therrë në kambë.
Reklama
Ja ç’thotë kanga:
“Adem Gocka qet përpjetshyqyr Zotit që shpetova vetëse per pashë s’po kam dert!Ali Pasha shtrim në dyshek,më paç në qafë. ore Haxhimë paç në qafe po i çon fjalësi e vrave këtë plak pa djalë”?
Vesin e Haxhi Zekës për me i thanë njerëzve për çdo gjë vraje, ma ka thanë edhe Hajrullah Krasniqi, plak 80 vjeç nga lagja Kapeshnicë e Pejës. Ky plak e admironte Haxhinë shumë, megjithatë bash thoshte se për fat të keq Haxhija këtë ves të keq e ka pasë. Bile porosina këso dore të Haxhisë i tregonte për shembell me emën edhe në të tjera ngjarje.
Haxhi Zeka ishte prej Krasniqeje e pat ra në Pejë. Njeri i zgjutë. Pernjiherë e ka fillue tregtinë. I njohun si mulla Zekë Byberi, mrekullisht brenda nji kohe të shkurtë u pasunue shumë, bleu dyqane e çifliqe, bani edhe nji fabrikë mielli. U ba edhe haxhi. Si pasanik e i mençëm, mblodhi rreth veti fisin e Krasniqes dhe e forcoi pozitën në nji shkallë të naltë. sa me konkurrue edhe Begollët e Pejës
Reklama
Në Lidhjen e Prizerenit ka qenë anëtar aktiv për mbrojtjen e Plavës e Gusisë, së bashku me Shaban Begun nga familja e beglerëve të Kastratit të Pejës. Kanë luejt rol të madh sidomos në furnizim me anë të mbledhjes së drithit nga populli i rretheve dhe prej hambareve të tyne, çka kish randësi në luftën e Nokshiqit, që u zhvillua nën komandën e Ali Begut (Pashës) e të Jakup Ferit.
Qe. si këndohet një kangë:
“Zot ke ka Shqipnia të parëMulla Zekë e Shaban Beg”.
Tjetër:
“Çka i thotë mbreti Ali Begut,aferim prej memleqetii asqer te mirë po i qet miletitMore mbret, në mos nxefsh bes kqyr tefterin,veç nji grue i ka nxjerr shtat krenamotra e Zhujës ish qilluezhuj Selinani lufton në kullë e pisket si zana,s’i lëshoj kullat e sheremetits’ja marr ftyrën memleqetit”. /Telegrafi/

Leave a Reply