VIDEO/ Ministri i Jashtëm serb takim në Uashington me sekretarin Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar të mërkurën me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në Departamenti amerikan të Shtetit në Uashington.

Nuk është e qartë se cila ishte tema e bisedës gjatë takimit dhe Rubio e Gjuriq nuk folën për media pas takimit.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zyrtari i lartë i Byrosë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në DASH, Brendan Hanrahan dhe nënsekretarja Allison Hooker.

Hanrahan gjatë korrikut kishte vizituar disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

Gjatë qëndrimit në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se temë e diskutimit me zyrtarin amerikan ishte nevoja për bashkëpunim ekonomik mes dy shteteve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se më 7 gusht do të hyjnë në fuqi tarifat e reja tregtare. Sipas vendimit, Serbia do të goditet me 35 për qind tarifa.

Ndërkaq gazetarët e pranishëm në momentet e shtrëngimit të duarve, e kanë pyetur sekretarin Rubio për sanksionet dhe bisedimet me Rusinë.

‘Do të kemi më shumë për të thënë rreth kësaj më vonë gjatë ditës. Ambasadori WEitkoff po kthehet tani. Pak minuta më parë, kam biseduar me të për telefon. Do të kemi disa diskutime të tjera gjatë ditës, dhe shpresojmë që së shpejti të kemi disa njoftime. Ndoshta pozitive, ndoshta jo. Do ta shohim’, tha Rubio.