Bardhi publikon pamjet dhe godet Ballukun: Vëzhguesit e PS kanë votuar për qytetarët,çfarë ka ndodhur në 11 maj në Fier

Gazment Bardhi, i cili drejtoi fushatën e demokratëve në zgjedhjet e 11 majit në Qarkun e Fierit, ka publikuar dje një video në rrjetet sociale, e cila sipas deputetit të PD-së, tregon farsën zgjedhore dhe manipulimin që ka ndodhur. Bardhi shprehet se në video tregohet sesi vëzhgues të Partisë Socialiste votojnë në emër të qytetarëve, duke shkelur fshehtësinë e votës. Pamjet janë regjistruar në qendrën e votimit nr. 3153/1, në Njësinë Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson këtë si një “farsë elektorale”, ku, sipas tij procesi i votimit është nën kontrollin e patronazhistëve dhe i manipuluar në thelb. “Votim i kontrolluar = farsë elektorale. Shkelja e fshehtësisë së votimit është krim sipas nenit 327 të Kodit Penal dhe dënohet me deri në 3 vite burgim”, shkruan Bardhi, duke akuzuar qeverinë dhe strukturat e saj për mbështetje të shkeljeve.
“Shkelja e fshehtësisë së votimit është krim sipas nenit 327 të Kodit Penal që dënohet me 3 vjet burgim. Por në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier ajo ishte forma kriminale që patronazhistët të kontrollonin çdo votë që hidhet në kuti. Belinda Balluku kishte dhënë garanci që krimi i tyre nuk do të ndëshkohej, sepse Task Forca ishte alibi, jo mekanizëm për ndëshkimin e krimeve zgjedhore! Në vetëm 4 orë regjistrim, sepse më pas patronazhistët i fikin kamerat e QV nr. 3153/1, rezulton se në shumicë dërrmuese nuk kanë votuar qytetarët, në mënyrë të lirë dhe të fshehtë, por vëzhguesit e PS në emër të tyre. QV 3153/1, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier”, shprehet Bardhi.