Filmi “Burri i shtëpisë” premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë që sivjet shënon edicionin e 31-të

Nga Julia Vrapi
Filmi artistik “Burri i shtëpisë” do të shfaqet premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Filmi me regji nga Andamion Murataj do të jetë në konkurrim në këtë festival që këtë vit shënon edicionin e tij të 31, ndërsa marrin pjesë prodhime të ndryshme kinematografike të huaja. Pjesëmarrja e filmit me regji nga Andamion Murataj në këtë festival u bë me dije nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK). “Filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media”, do të ketë premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025. Ky film është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Andamion Murataj është njëkohësisht edhe skenaristi i filmit, që përqendrohet në historinë e Fran, një personazh kompleks, lindur si grua por që bën jetën e një burri apo e thënë ndryshe “burrneshë”.
Për t’i dhënë dashurinë e nënës mbesës së saj, Fran duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë nëse do të vijojë të ruajë statusin si burrneshë apo të ulë autoritetin dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës. “Man of the House” (Burri i shtëpisë) është xhiruar në Tiranë. Më herët u bë me dije se ky është projekti i parë me metrazh të gjatë, që realizohej në bashkëpunim më Zyrën e Filmit Tirana dhe Agjencinë e Industrive Kreative të Bashkisë së Tiranës. Andamion Murataj është drejtor shqiptar filmi, producent, dhe skenarist. Në vijim të aktivitetit të tij, regjisori Murataj punoi si bashkë-skenarist dhe bashkëproducent në filmin artistik “The Forgiveness of Blood” (Falja e Gjakut) në vitin 2011, me regji të Joshua Marston, për të cilin fitoi çmimin për skenarin më të mirë në Berlinale.
Festivali këtë vit
Edicioni i këtij viti i Festivalit të Filmit në Sarajevë, i 31-ti, mbahet prej datës 15 deri më 22 gusht. Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si evenimenti më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Historia e tij nisi më 1995. Festivali i Filmit në Sarajevë (SFF) ka marrë statusin e “festivalit kualifikues të filmit” për çmimet “Oscar”. Ky status do të thotë që filmat fitues në kategoritë e përzgjedhura do të mund të kualifikohen për nominimet për çmimin më të madh në kinematografi. Festivali këtë vit pritet që të çelet me “The Pavilion” nga regjisori boshnjak Dino Mustafic. Këtë vit në festival 50 filma do të garojnë në kategori të ndryshme për çmimin “Zemra e Sarajevës”. Janë përzgjedhur 15 premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 28 rajonale si dhe dy premiera kombëtare. Festivali i Filmit në Sarajevë do të mbahet në vijim këtë muaj, por pjesë e konkurrimit të tij janë dhe filmat nga Kosova. Këtë vit  Kosova ka përfaqësim të trefishtë në tri kategori të ndryshme në edicionin e 31-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë.