Miron Kotani: Zhdukje e traditës dhe zhbërje e këngës shqipe, kritika muzikore hesht në Shqipëri

Nga Julia Vrapi
Festivali i Këngës në RTSH këtë vit pritet që të zhvillojë edicionin e tij të 64-t. Por prej vitesh festivali po shoqërohet me problematika të ndryshme, ku nuk kanë munguar dhe kritikat e profesionistëve të fushës së muzikës në drejtim të organizatorëve. Stafi drejtues i Festivalit të 64-t të Këngës dhe RTSH këto ditë kanë publikuar thirrjen për të gjithë artistët, që do t’i bashkohen festvalit. Por kompozitori Miron Kotani, një nga zërat që herë pas here ka sjellë në vëmendje problemet që kanë shoqëruar Festivalin e Këngës në RTSH ndër vite sjell në vëmendje se kritika muzikore vazhdon të heshtë në vendin tonë për këtë festival. “Për kritikën muzikore të dështuar shqiptare ose asgjë e re nga fronti i perëndimit për Festivalin e 64 në RTSH. Një zhdukje e traditës dhe zhbërje e këngës shqipe.
Si ka mundësi që asnjë rresht për Festivalin e Këngës në RTSH, kriteret e shpallura të tij nga RTSH, kritika muzikore gjithmonë ka heshtur në Shqipëri duke bërë që këtë punë ta bëjë “askushi” ose ndonjë artist kuturu sipas mendjes se tij”, shprehet kompozitori Kotani në një reagim të tij, që e ka ndarë dhe në Facebook. Festivali i Këngës në RTSH edhe pse përballet me kritika çdo vit nga krijues e artistë të ndryshëm është dhe një prej ngjarjeve muzikore kryesore në vend, por që prurjet muzikore kanë ngjallur jo pak diskutime. Kompozitori Miron Kotani thotë se Festivali i Këngës në RTSH vazhdon të mbetet anonim. Ai shpreh kritika për organizatorët e festivalit, ku thotë se nuk është dhënë një rregullore e shkruar mbi mënyrën e funksionimit të festivalit.
“Festivali Kombëtar vazhdon të mbetet anonim, pa rregulla e pa kurrfarë vizioni nga organizatorët RTSH, duke bërë që kënga shqipe të humbasë drejt anonimatit e rastësisë së prurjeve anonime. Le të analizojmë pak procedurën e fazës së parë – atë të përzgjedhjes së këngëve. 1. Nuk na jepet dhe nuk ka një rregullore të shkruar për mënyrën e funksionimit të festivalit. 2. Nuk jepen emrat e organizatorëve-drejtuesve të festivalit. Në çdo vend të botës emrat e stafit duhen bërë publike. 3. Nuk jepet dhe nuk bëhet e ditur ( me qëllim kjo) mënyra e përzgjedhjes së këngëve fituese të festivalit. Pra kjo i lihet në dorë kujt? Si? Pse?”, vijon kompozitori Miron Kotani ndër të tjera në reagimin e tij.
Transparenca në festival
Mungesa e transparencës apo dhe prurjet muzikore janë të tjera problem për të cilat shprehet kompozitori Miron Kotani. Në reagimin e tij ai thotë se festivali nuk mund të jetë me prurje muzikore rastësore, por nga emra të njohur të këngës, si në krijimtari ashtu dhe në interpretim. Ndërsa për thirrjen për artistët që do ti bashkohen festivalit këtë vit nga stafi drejtues i Fest. 64  kompozitori Miron Kotani shprehet se vijon si çdo vit, pa pasur përmirësime. “4- Si çdo vit edhe këtë herë në fazën e parë mungon 100 për qind transparenca. Ti mund të çosh një këngë të shkëlqyer, por që “ustallarët” ata të brendshmit e RTSH-së që kanë konflikt interesi e që janë vetë garues në festival, mund të ta heqin ëmbëlsisht e të ta skualifikojnë këngën.
5. Festivali nuk mund e nuk duhet të jetë prurje rastësore, por prurje kombëtare e emrave më të njohur të këngës si në krijimtari ashtu dhe interpretim. 6. Rregullat në këtë lajmërim janë thuajse si çdo vit tjetër- njësoj të pandryshuara çka të bën të mendosh se do kemi të njëjtin festival si në edicionet e kaluara me të njëjtat emra autorësh e garuesish në të. Kjo është e pafalshme për një institucion publik që duhet të jetë i të gjithë shqiptarëve e larg klaneve klanore, që kanë dëmtuar imazhin e këngës shqipe në vite”, thotë kompozitori Miron Kotani më tej.
Mosha e pjesëmarrjes në festival
Në thirrjen që u shpall këto ditë për artistët, që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH një nga pikat është dhe mosha. Sipas thirrjes, artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç. Por kjo sipas kompozitorit Miron Kotani është e gabuar. Kompozitori Kotani në reagimin e tij që e ka ndarë në disa pika, sjell në vëmendje pjesëmarrjen e këngëtarit Tonin Tërshana në festival dikur apo dhe të artistëve të tjerë. “7. Sipas RTSH-së në Fest. 64 nuk do lejohen këngëtarët nën 16 vjeç. Është e gabuar ( e kam thënë edhe në vitet e kaluara) vendosja e kriterit 16 vjeç për interpretin pjesëmarrës.
Kjo është në kundërshtim me traditën – kur dihet se Tonin Tërshana ishte vetëm 15 vjeç kur fitoi Festivalin në vitin 1965 , apo David Tukiçi ishte vetëm 13 vjeç kur fitoi me Globi që rrotullohej tek “Dhuratë për ditëlindjen” apo Elsa Lila 14 vjeç me “Pyes Lotin”, etj….Çdo të thoshte Luan Zhegu që në Festivalin e vitit 1986 në RTSH këndon një duet të mrekullueshëm me një fëmijë 10 vjeçar në këngën e Gjergj Lekës, që për mua ishte një ndër këngët më të bukura të festivalit? Po Mariza Ikonomi me Françesk Radin te “Telefonatë zemrash” sa vjeç ishte? Po Jonida Maliqi në Festivalin e vitit 1995 sa vjeç ishte në këngën e Petrit Sinematit ?”, shprehet Kotani, që shton më tej se ky kriter ç’bën traditën dhe sipas tij është i papranueshëm.
Komisioni për këngët 
Këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI), sipas stafit drejtues të festivalit këtë vit do të skualifikohen menjëherë. Por kompozitori Miron Kotani thotë se komisioni për këngët e festivalit duhet të kërkojë partiturën e këngës. “8. Si mund të kuptohet mbi ç’bazë zhdukja e krijimeve të inteligjencës artificiale kur ti si komision nuk kërkon partiturën e këngës me nota- vijë melodike+ tekst+ harmoni, duke e ligjëruar e bërë fakt pranimin e drejtpërdrejtë të inteligjencës artificiale të studiove kompjuteristike të producentëve?! Si mund ta kuptojë “komisioni” këndimin e studiove të producentëve kur nuk e dëgjon live me piano të shoqëruar nga kompozitori këngëtarin?”, vijon ai. Transparenca për përzgjedhjen e këngëve në festival sipas kompozitorin Miron Kotani është shumë e rëndësishme, por ndër të tjera ai sjell në vëmendje dhe çfarë ndodh me të drejtën e autorit në fushën e muzikës. “9. Si mund të mos jetë transparente e të jetë rastësore përzgjedhja e këngëve të Festivalit Kombëtar të Këngës, krijuesve e interpretëve ?
Si mund të shkelet kaq hapur e drejta e autorit e merret nëpër këmbë krijimtaria?! Kaq si fillim – se kritika do duhej të paguhej më shumë se një kompozim- por jemi në vendin e xhunglës e uroj që të mos na burgosin për këto mendime kritike për artin – ( dhe kjo nuk përbën më çudi tashmë)”, thotë kompozitori Miron Kotani në një reagim të tij të datës 2 gusht 2025. Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar të festivalit që është bërë publik. Sipas njoftimit pas nisjes së materialeve, pjesëmarrësve do t’u dërgohet një email që konfirmon dorëzimin e tyre.
Festivali të jetë me pjesëmarrjen e autorëve më të mirë
Edhe më herët kompozitori Miron Kotani ka shprehur se Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të thotë festivali i krijimtarisë muzikore i të gjithë autorëve më të mirë të mundshëm. Sipas tij, krijimtaria më e mirë shqiptare me krijuesit më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare, që janë kompozitorët, autorët e tekstit apo poetët dhe mundësisht dhe orkestruesit. Gjithashtu Kotani ka shprehur se drejtimi i gabuar është përjashtimi, mënjanimi i kompozitorëve dhe poetëve dhe orkestratorëve, njerëzit e shkolluar që e kanë bërë festivalin, që e kanë bërë traditën. Festivali i Këngës në RTSH vjet në dhjetor 2024  zhvilloi edicionin e 63-të të tij dhe u zhvillua përgjatë katër mbrëmjeve, ndërsa 30 këngë ishin në konkurrim. Miron Kotani është autor i shumë këngëve për të rritur e fëmijë, i disa muzika të filmave dhe njihet si orkestrues i mijëra këngëve shqiptare në tre dekadat e fundit, me këngëtarët më të mirë të trojeve shqiptare.