Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Fierit këtë të dielë më 3 gusht, pasi dyshohen se janë autorë të zjarrvënieve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me ullinj dhe me shkurre.
Arrestimet u kryen pas hetimeve të specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë dhe atë të Mallakastrës. Zjarri në Divjakë kishte përfshirë një sipërfaqe me 170 rrënjë ulliri, ndërsa në Mallakastër ishte djegur një sipërfaqe e tërë me shkurre.
“Në Divjakë, u arrestua shtetasi K. A., 65 vjeç, banues në fshatin Korije, pasi ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 170 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi.
Në Mallakastër u arrestua shtetasi P. J., 41 vjeç, banues në fshatin Belishovë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e ferrave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të dy rastet janë referuar për ndjekje të mëtejshme pranë Prokurorisë së Fierit, ndërsa autorët do të përballen me akuzat për zjarrvënie të qëllimshme dhe shkatërrim prone.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar ndaj rasteve të përsëritura të zjarrvënieve të pakujdesshme apo të qëllimshme, duke bërë thirrje të qartë për qytetarët:“që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin”.
