Parqet detare përplasin sërish Greqinë me Turqinë. Athina: Të papranueshme, ilegale!

Pretendimet për territore detare në Egje dhe Mesdheun Lindor kanë nisur të përplasin sërish Greqinë dhe Turqinë.
Ndonëse ishte Ankaraja e para në muajin korrik që qortoi Athinën zyrtare për shtrirjen e dy zonave të mbrojtura detare përtej ujërave që i takojnë, të shtunën, Ministria e Jashtme e Greqisë dënoi përpjekjet e Ankarasë për “lëvizje të papranueshme, të njëanshme dhe ilegale”, që shkelin ligjin ndërkombëtar.
Ankesa e palës greke ka të bëjë me hartat e fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare e Universitetit të Ankarasë për Ligjin Detar (DEHUKAM), që përcaktojnë si pjesë të dy parqeve detare të Turqisë edhe zona të ishujve të Greqisë në Egje dhe në Mesdheun Lindor. Ankaraja i shpalli këto dy zona – njërën në brigjet perëndimore të ishullit Imbros (Gokceada), dhe tjetra në verilindje të Rodosit pranë ishullit Kastellorizo – me qëllimin për të mbrojtur mjedisin nënujor, por edhe për të lejuar vijimin e aktiviteteve ekonomike, si peshkimi dhe turizmi.
Sipas Greqisë, përcaktimi i këtyre parqeve përtej ujërave territorialë të Turqisë i bën ato “pa efekt ligjor në të drejtat sovrane të Greqisë”.
“Deklarata tregon një shpërfillje të plotë të së drejtës ndërkombëtare të detit,” njoftoi Ministria e Jashtme greke, duke shtuar se “veprime të tilla pa reflektuar dhe të pakuptimta vënë në rrezik marrëdhëniet e mira fqinjësore”.
Edhe Ankaraja kundërshtoi kohë më herët shpalljen nga Greqia të dy parqeve detare në detet e Jonit dhe Egjeut, duke paralajmëruar se po shkelen të drejtat e Turqisë në zona të gadishullit grek që ende kontestohen mes palëve. Deklarata zyrtare u lëshua më 21 korrik nga Ministria e Jashtme e Turqisë, me drojën se ishuj të vegjël apo formime shkëmbore po tentohet të bëhen fakt i kryer që t’i takojnë Greqisë më vonë.
Në dhjetor të vitit 2023, presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis nënshkruan një deklaratë të përbashkët në Athinë për Raporte Miqësore dhe Fqinjësi të Mirë. Por pavarësisht klimës më pozitive vitet e fundit, ndasitë mes palëve vazhdojnë për sa i përket territoreve në Detin Egje.
Greqia dhe Turqia vazhdojnë të mos pajtohen për vijëzimin e platformës kontinentale dhe zonës ekskluzive ekonomike, ku secili vend mund të shfrytëzojë burimet nënujore, si edhe gjatësinë e shtrirjes së ujërave territorialë. Turqia ka thënë se çdo përpjekje e Greqisë për t’i shtrirë ujërat e vet territorialë rreth ishujve grekë në Detin Egje nga 6 në 12 milje detare mund të bëhej shkak për luftë. /Kathimerini, TRT