Avokati i njohur, Edmond Petraj ka komentuar zhvillimet e fundit rreth dosjes penale që rëndon mbi ish-Presidentin Ilir Meta. Në një intervistë për gazetën “Sot”, Z. Petraj nuk ka kursyer as drejtësinë dhe as kastën politike që, sipas tij, është ndërtuar mbi pasurim të paligjshëm dhe pandëshkueshmëri. Ai e cilëson këtë moment si një provë historike për sistemin e drejtësisë shqiptare. Sipas tij, kalimi i çështjes për gjykim nuk është fundi, por vetëm fillimi i përballjes me të vërtetën. Petraj paralajmëron se nëse nuk ka dënime konkrete, atëherë çdo reformë drejtësie ka dështuar.
Ndërkohë ai akuzon hapur Metën dhe familjarët e tij për skema të sofistikuara korrupsioni, që kanë sjellë miliona euro përmes OJF-ve fiktive dhe lobimeve të dyshimta. “Kjo nuk është më një çështje personale, por një sfidë për shtetin”, thekson avokati. Ai mbyll deklaratën me një paralajmërim të qartë: ose drejtësia godet tani, ose ajo do të shembet bashkë me sistemin që pretendoi se do ta reformonte.
– Z. Petraj, tashmë që dosja ndaj Ilir Metës ka kaluar për gjykim, ku të pandehur janë edhe bashkëshortja e tij, znj. Monika Kryemadhi, dhe vjehrra e tij, si e shihni këtë zhvillim, duke qenë një nga denoncuesit kryesorë të kësaj afere? Besoni se drejtësia do të shkojë deri në fund dhe do të ketë dënime për zullumet dhe abuzimet e pretenduara?
Ky është një moment thelbësor në raportin mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri. Kalimi i dosjes për gjykim ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe vjehrrës së tij përbën jo vetëm një zhvillim juridik të rëndësishëm, por edhe një provë për integritetin institucional të sistemit të drejtësisë së re. Shkurt SPAK është në sprovë të vështirë nëse do të ketë një mbrojtje të fortë. Nëse e shohim këtë situatë nga këndvështrimi i një qytetari aktiv dhe një denoncuesi publik të hershëm të kësaj afere, mund të themi pa hezitim: ky është vetëm fillimi. Denoncimet e bëra ndër vite për pasurimin e paligjshëm, për përdorimin e OJF-ve të rreme në emër të grave, për lobimet me miliona në SHBA dhe për fshehjen e pasurive nëpër offshoret e botës – nuk janë më thjesht aludime politike, por pjesë e një dosjeje penale që ka kaluar në fazën më serioze: shqyrtimin gjyqësor.
A do të shkojë drejtësia deri në fund? Ky është testi më i rëndësishëm për SPAK-un dhe për të gjithë sistemin e drejtësisë së re që u ngrit mbi premtimin se “askush nuk është mbi ligjin”. Deri tani, kemi parë goditje në nivele të larta përfshirë ish-kryeministra, kryebashkiakë, ministra dhe tani një ish-president. Kjo nuk është e vogël. Por nëse rasti i Ilir Metës mbyllet me një “pazar”, me një ndëshkim simbolik apo me një dështim teknik për “mungesë provash” apo “parashkrim”, atëherë i gjithë besimi publik do të rrënohet përfundimisht. A do të ketë dënime????? Nëse provat janë ashtu siç janë raportuar me transfertat e bankave, pasuritë e fshehura, përfitimet nga OJF-të fiktive dhe përdorimi i pushtetit politik për të siguruar pasuri personale atëherë çdo mosdënim do të jetë një amnisti politike. Dhe çdo amnisti politike është krim i dytë kundër popullit.
Në fund… Kjo nuk është më thjesht çështje Ilir Meta. Është çështja e një klase politike që për dekada ka ndërtuar një kastë të paprekshme. Nëse ky mur shembet sot, atëherë edhe të tjerët duhet të kenë frikë. Nëse jo, atëherë kjo është thjesht një lojë me regji të njohur: arresto për kamerat, amnisto në gjyq. Dhe nëse drejtësia nuk guxon, qytetarët kanë të drejtën të mos heshtin më.
– Si e komentoni faktin që znj. Kryemadhi injoron SPAK-un dhe deklaron se do të bëhet bashkëpunëtore, ndërkohë që thekson se është e fokusuar tek aktrimi? Si e shihni këtë qëndrim në kuadrin e hetimeve dhe kërkesës për drejtësi?
Qëndrimi i znj. Monika Kryemadhi përbën një fyerje publike ndaj inteligjencës së qytetarëve dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, nëse jo një tallje të hapur me institucionet që sot po përpiqen (sado vonë) të kërkojnë llogari për pasurinë dhe pushtetin e paligjshëm. Kur një person i pandehur për pastrim parash, përfshirë në skema të dyshuara kriminale me OJF të rreme dhe transferta ndërkombëtare me emra të familjarëve, thotë se “është më e fokusuar te aktrimi”, kjo nuk është më vetëm cinizëm. Kjo është kulturë mosndëshkueshmërie e rrënjosur deri në palcë. Në çdo vend tjetër, një e pandehur që tallet me drejtësinë në mënyrë kaq të hapur, do të përballej me masa të menjëhershme.
Në Shqipëri, e njëjta Kryemadhi që dikur vetë denonconte “oligarkinë”, sot tenton ta shndërrojë hetimin penal në stand-up komedi me kamera. Dhe po, ajo deklaron se “do të bëhet bashkëpunëtore e drejtësisë”, por nga pozicioni i kujt? E një të penduare që tregon emrat më të mëdhenj të skemës? Apo thjesht si një aktore e lodhur që kërkon të mbulojë zullumet me batuta? Ky lloj diskursi i talljes, ironisë, shfokusimit është një strategji klasike e politikanëve të korruptuar: ta relativizojnë rrezikun, të kthejnë opinionin publik nga krimi real tek figura personale, madje të paraqiten si artistë, jo si të pandehur. Kjo është tentativë për të personalizuar drejtësinë dhe për ta transformuar hetimin në një reality shoë, ku protagonisti është viktimë e një regjie politike, jo autor i një skeme kriminale. Por kjo nuk është një çështje aktrimi.
Ky është një proces penal për pasuri të pajustifikuara, miliona euro që kanë qarkulluar përmes hallkave familjare, kompani guackë, OJF fiktive dhe lobime të paguara me para që nuk kanë burim të ligjshëm. Dhe ajo që kërkon qytetari nuk është shfaqja e rradhës, por gjykimi dhe dënimi i fajtorëve. Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të shndërruar procesin penal në një akt skenik është provë se klasa politike nuk është penduar, nuk është ndëshkuar dhe ende mendon se drejtësia është një lodër për audiencë. Por koha e teatrit ka mbaruar. Tani është koha e drejtësisë. Dhe aktorët që abuzuan me skenën publike, duhet të provojnë talentin e tyre në skenën e gjykatës.
Intervisoti: Rigels Seliman
Paralajmërimi i fortë i Edmond Petrajt: Dosja penale e Metës dhe Kryemadhit me miliona euro të padeklaruara dhe…
