“Neni 55 i kohës së komunizmit ishte më i qartë se projekti i ri i Kodit Penal”

Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi ka reaguar sërish ndaj projektit të ri të Kodit Penal, duke e krahasuar madje me nenin famëkeq të agjitacion-propagandës të kohës së komunizmit.
Në një postim të publikuar, Dervishi thekson se neni 236 i projekt-kodit është i paqartë dhe i rrezikshëm për lirinë e shprehjes.
“Neni 55 i (agjitacion-propagandës) së kohës së komunizmit ishte më i qartë!”, shkruan ai, duke ironizuar formulimin e nenit 236, i cili parashikon dënimin me burg deri në tre vjet për “përdhosjen” e institucioneve shtetërore, përfshirë Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, sistemin gjyqësor dhe dëshmorët e Atdheut.
Dervishi argumenton se termi “përdhosje” është aq i paqartë dhe “llastik”, saqë mund të përdoret për të ndëshkuar çdo mem, karikaturë apo status në rrjete sociale. “Kur institucionet trajtohen si objekte kulti, atëherë jemi shumë larg një shteti demokratik,” shton ai.
Postimi i plotë i Dervishit:
Kur institucionet trajtohen si objekte kulti
Në një shtet demokratik, Presidenti, Kryeministri, Kuvendi apo gjykatat nuk janë objekte kulti, por shërbëtorë publikë që kritikohen, edhe ashpër, pa u përlyer me kode penale. Termi “përdhosje” është aq “llastik” , sa çdo meme, karikaturë apo status në Facebook mund të bëhet pretekst për burg.
Neni 55 i (agjitacion – propagandës) se kohës së komunizmit ishte më i qartë!
Neni 236 i projektit të Kodit të ri Penal
“Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri në tre vjet”
“Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë,”
Në Belgjikë vetëm përdhosja publike Mbretit dënohet me burg 6 muaj deri 3 vjet. Në 2021 Gjykata kushtetuese belge e abrogoi këtë nen si “të kundërt me lirinë e shprehjes”
Të njëjtën gjë ka bërë Gjykata kushtetuese hollandeze që më 2018
Nëse ky nen miratohet, të gjithë shqiptarët kanë të drejtë ligjore të kërkojnë strehim politik.