Lirimi i hapësirave publike, protestojnë bizneset e pedonales së Korçës; Bashkia shtyn vendimin

Pas disa ditësh aksion në mbarë vendin për lirimin e hapësirave publike të zëna nga baret dhe restorantet, institucionet shtetërore nëpërmjet shkresave po njoftojnë bizneset se kanë afat deri më 2 Gusht për lirimin e tyre vullnetar, në të kundërt hapësirat e vendosura do të shemben dhe subjekti do të penalizohet me gjobë.Për shumë biznese vendimi për shkatërrimin e strukturave metalike konsiderohet i padrejtë, pasi siç ata pohojnë operojnë kundrejt kontratave të rregullta të miratuara nga pushteti vendor, ndërsa më i padrejtë cilësohet vendimi për heqjen e tyre në mesin e sezonit turistik.Në qytetin e Korçës dy të rinj sipërmarrës të barit “Mësonjëtorja” në zonën e pedonales së qytetit (pranë shkollës së parë shqipe), pas njoftimit të marrë më 29 Korrik nga Drejtoria e Kontrollit të Territorit për pezullim të kontratës kanë protestuar me mbylljen e biznesit jo vetëm për vendimmarrjen e padrejtë të institucioneve shtetërore, por edhe zbatimin e një aksioni në mes të sezonit turistik.Dy të rinjtë nga qyteti i Korçës kërkojnë zgjidhje nga institucionet e qeverisë për shtyrjen e afatit të heqjes së strukturave deri në mbylljen e sezonit turistik. Deri tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët nga pushteti vendor.Leonard Ligori njëri prej drejtuesve të këtij biznesi i kontaktuar nga Monitor tha se prej vitit 2022 që ka marrë me qira lokalin, operon me kontratë të rregullt për zhvillimin e aktivitetit me tavolina, brenda strukturës metalike të ngritur, e domosdoshme për zonën e Korçës, që njihet për klimën e ftohtë.Zoti Ligori thotë se në kontratë parashikohet  që leja për strukturën shtesë është e rinovueshme çdo vit. Në rastin konkret leja është rinovuar në muajin Mars 2025 me afat vlefshmërie deri më  Mars 2026.Në lejen e lëshuar për këtë subjekt “Leje për zhvillimin e aktivitetit me tavolina” nga Drejtoria e Kontrollit të Territorit, Bashkia Korçë përcaktohen kushtet zbatuese të lejes, ku subjekti duhet të respektojë sipërfaqen e lejuar me skica topografike.“Në rastin e mosrespektimit të sipërfaqes së lejuar me (tavolinë, karrige, mbajtëse lulesh, çadra dielli, tendë dielli, dhe sende të tjera të lëvizshme apo të palëvizshme, subjekti penalizohet me masën e kundërvajtjes administrative”, citohet në lejen e dhënë për këtë subjekt më 13 Mars 2025.Për rrjedhojë Ligori ngre shqetësimin se jo vetëm që njoftimi për shfuqizim kontrata është në shkelje me afatet e lejes së marrë në muajin Mars 2025, por mbi të gjithë nga bashkia e Korçës nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për heqjen e strukturës së lokalit.Në shkresën dërguar më 28 Korrik 2025 nga Drejtoria e Kontrollit të Bashkisë Korçë.“Në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” , Vendimit të Këshillit të Ministrave 28.12.2015 “Për miratimin e rregullave, kushteve dhe procedurave për përdorimin e hapësirave publike” ju njoftojmë se leja e dhënë për shfrytëzimin e hapësirës publike për vendosjen e strukturave të përkohshme është pezulluar në kuadër të procesit të lirimit dhe sistemimit të hapësirave publike në të gjithë territorin. Për këtë qëllim jeni të detyruar të lironi hapësirën publike brenda datës 2 Gusht 2025. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar më lart, strukturat gjithëpërfshirëse do të ndërmarrin veprime për lirimin e plotë të hapësirës puplike”, citohet në shkresën e Drejtorisë së Kontrollit të Bashkisë Korçë. “Sot protestojmë! Na falni që jemi mbyllur” “Kërkojnë shtyrje të afatit deri në mbyllje të sezonit turistik”; a ka partneritet pa konsultim? Bizneset nuk janë armiku juaj” ; “Pse njoftohemi vetëm 4 ditë para dhe në mes të sezonit turistik?; Nuk jemi zaptues, por taksapagues. Duam dëmshpërblim!” janë disa nga pankartat e afishuar sot në xhamat e barit Mësonjëtorja në Korçë.Bizneset kërkojnë nga qeveria dhe pushteti vendor që vendimmarrja të shtyhet pas përfundimit të sezonit turistik, në mënyrë që të shmanget falimentimi i subjekteve që varen nga kjo periudhë.“Kjo situatë po na çon drejt falimentimit, edhe pse kemi kontrata të rregullta dhe nuk kemi marrë asnjë paralajmërim për marrje masash. Vendimi është i njëanshëm dhe pa asnjë formë dialogu,” përfundon Ligori.Sakaq sot, Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ka njoftuar në një deklaratë për mediat se aksioni për lirimin e hapësirave publike në qytet, i cili prek edhe bizneset në zonën e pedonales, do të shtyhet deri më 17 gusht, në përfundim të Festës së Birrës Korça.“Diskutimi i djeshëm me bizneset u trajtua nga ana ime si diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj e të pranoj deri në masë të caktuar shqetësimet reale të bizneseve. Ju është dhënë ky afat nga ana ime deri më 17 gusht që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që t’i heqin të gjithë elementët e tjerë, pedanat, vazot, dhe mund të qëndrojnë tendat deri më 17 gusht, e më pas të zëvendësohen,” deklaroi Filo.Prej disa ditësh aksioni për lirimin e hapësirave publike nga baret dhe restorantet po zbatohet edhe në Tiranë, të cilët pohojnë se zbatimi i aksionit gjatë sezonit turistik po u shkakton atyre dëme në xhiro. Ankesa ka pasur edhe nga kompanitë prodhuese të ujit të pijshëm të botiluar të cilët furnizojnë këto struktura. Prodhuesit pohojnë se kjo situatë po u shkakton rënie të shitjeve.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.