Parkoi makinën duke bllokuar zjarrfikësen, procedohet penalisht 22-vjeçari në Himarë

Policia e Himarës ka proceduar penalisht një22-vjeçar, pasi parkoi automjetin në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugën dhe penguar kalimin e mjetit zjarrfikës.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, u procedua penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal”.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të parkimeve të gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve, veçanërisht të mjeteve të emergjencës, ndërhynë menjëherë pas njoftimit për një automjet të parkuar gabim, në rrugën “25 Marsi”, në qytetin e Himarës.
Gjatë verifikimeve, u konstatua se një automjet tip “BMW” ishte parkuar në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugëkalimin dhe penguar kalimin e një mjeti zjarrfikës, që ndodhej në një situatë emergjente.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, u shoqërua së bashku me automjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë, ku, pas veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, u procedua penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal”, njofton policia.