Becheti i ka bllokuar Edi Ramës 105 milionë euro të Albkontrollit, kryeministri financime të dyshimta, kompania…

Deklaratat publike të kryeministrit Rama se Bechetti “nuk do marrë asgjë” janë kontradiktore ne raport me  realitetin financiar. Në fakt taksa e arbitrazhit po paguhet në mënyrë të maskuar, përmes huave dhe transferta të fshehta me burime financiare shtetërore ose kompani shtetërorë.  Edi Ramai ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 110 milionë euro për kapriçot e tij dhe maninë autokratike të qeverisjes.
Konflikti me Bechetin si një luftë personale e kryeministrit është shndërruar së fundmi një kosto e drejtpërdrejt e xhepave të shqiptarëve. Pagesat e kamufluara të Edi Ramës për Bechetin janë shmangie e transparencës parlamentare dhe kontrollit publik, duke e zhvendosur barrën te qytetarët. Me manovrat e tij për të mos paguar detyrimin ndaj Bechetit, Edi Rama po çon drejt falimentimit të sigurt kompaninë e aviacionit civil shqiptar duke diskretituar shtetin shqiptar si një vend që nuk respekton gjykatat ndërkombëtare. Mbi të gjitha Albkontroll është sot me 105 milionë euro të bllokuar për llogari të Bechetit dhe 75 milionë euro borxhe. Noc Rroku i Edi Ramës siç duket nuk ka funksionuar si çelës i artë i Edi Ramës për të zgjidhur problemet. Albkontrol po ecën me shpejtësi skëterre drejt falimentimit.
Hije korrupsioni
Një skandal i përmasave të jashtëzakonshme ka ndodhur me një nga institucionet më të reja të shtetit shqiptar. Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI), e themeluar në vitin 2020 si një shoqëri aksionare me kapital publik, e cila ka për qëllim zhvillimin ekonomik përmes mobilizimit të kapitalit shtetëror dhe privat,  i ka dhënë Albkontrollit  2 miliardë lekë ose 20 milionë euro. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), huaja është dhënë nga ish-drejtoresha e KSI, Laureta Omeri, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa u mbështetur në një kuadër rregullator që i lejon një korporate investimesh të veprojë si një institucion huadhënës.
KLSH ka theksuar se kjo është një shkelje e rëndë e ligjshmërisë financiare dhe e mënyrës së administrimit të pasurive publike. Dhënia e kësaj huaje është një shkelje e rëndë ligjore për KSHI dhe drejtuesit e saj, pasi veprimtaria e saj nuk e saj nuk ka objektiv huadhënien ndaj të tretëve. Veprimtaria e KSHI ka kaluar përtej objektivave të deklaruara, duke u shndërruar në një instrument financiar joformal për mbulimin e detyrimeve të qeverisë ndaj vendimeve ndërkombëtare të arbitrazhit. Në nëntor 2024, Elira Kokona, drejtoreshë e re e Korporatës Shqiptare të Investimeve, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Albcontrol-it për kthimin e shumës së dhënë me hua. Sidoqoftë, administratori aktual i Albcontrol, Dritan Isaku, ka kërkuar shtyrjen e afatit të kthimit të borxhit me një vit tjetër, për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar këtë detyrim. E thënë me pak fjalë Albkontrolli është drejt falimentimit.  Transaksionet e dyshimta të KSHI, Drejtoria e Transportit Rrugor dhe buxhetit të shtetit me financimet e Albkontroll tregojnë qartë se këtu kemi të bëjmë me një abuzim financiar të përmasave të jashtëzakonshme.
Historiku
Në nëntor 2023, KSHI i dha Albcontrol-it një hua prej 2 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro), për të përballuar bllokimin e llogarive të saj nga Gjykatat e Arbitrazhit, si pasojë e vendimit në favor të biznesmenit italian Francesco Bechetti. Ky veprim është jashtë kornizës ligjore të funksionimit të Korporatës, e cila nuk është e autorizuar të veprojë si bankë shtetërore. Në vitin 2015, autoritetet shqiptare konfiskuan televizionin Agon Channel, pronë e Bechettit, duke shkaktuar një përplasje ligjore ndërkombëtare. Në vitin 2019, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICSID) vendosi që Shqipëria të dëmshpërblejë Beçhettin me 110 milionë euro, për shkelje të të drejtave të investitorit sipas marrëveshjes bilaterale me Italinë.
Qeveria shqiptare nuk e ka ekzekutuar vendimin, duke çuar në bllokimin e llogarive të Albcontrol  pranë Eurocontrol në Bruksel. Si rezultat, kompania nuk ka mundur të tërheqë të ardhurat nga tarifat ajrore, duke u zhytur në një krizë financiare që ka detyruar marrjen e tre kredive të mëdha,  20 milionë euro nga KSHI,  4.2 milionë euro nga Drejtoria e Transportit Rrugor dhe 50 milionë euro nga buxheti i shtetit Sipas bilancit të vitit 2023, Albcontrol ka 7.42 miliardë lekë borxh (rreth 74 milionë euro), ndërkohë që 10.5 miliardë lekë të ardhura janë të ngrira në Eurocontrol. Audituesit kanë paralajmëruar se kjo situatë krijon pasiguri për vijimësinë e kompanisë, duke e klasifikuar si teknikisht të falimentuar. Në përpjekje për të shmangur kolapsin, qeveria ka ndërhyrë me transferta direkte nga buxheti, duke e shndërruar Albcontrol në një agjenci buxhetore, për të krijuar imunitet sovran ndaj ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit.
Shkeljet ligjore të Korporatës Shqiptare të Investimeve (KSHI) në huanë ndaj Albcontrol
Dhënia e huasë jashtë objektit ligjor të veprimtarisë,  pasi KSHI nuk ka status bankar dhe nuk është e autorizuar nga ligji për të dhënë hua financiare. Ligji për Korporatën e Investimeve e kufizon veprimtarinë e saj në zhvillimin e projekteve strategjike, jo në financimin e detyrimeve të palëve të treta. Dhënia e huasë ndaj Albcontrol për të mbuluar një dëmshpërblim arbitrazhi për Beçhettin përbën devijim nga misioni i korporatës dhe shkelje të nenit mbi objektin e veprimtarisë.
Mungesë e analizës së riskut dhe garancive ligjore
Nuk është dokumentuar asnjë analizë financiare për aftësinë e Albcontrol për të kthyer huanë. Nuk ka garanci kolaterale, as marrëveshje të detajuar për kthimin e shumës. Kërkesa për shtyrje afati nga Albcontrol në nëntor 2024 tregon se huaja është e rrezikuar për t’u kthyer, duke e ekspozuar KSHI-n ndaj humbjes së fondeve publike. KSHI ka shkelur këto parime duke përdorur fondet për një qëllim që nuk sjell asnjë zhvillim strategjik, por mbulon një dëmshpërblim penalizues ndaj shtetit shqiptar. Mungesë transparence dhe raportimi financiar.  KLSH ka konstatuar se nuk janë dorëzuar raportet periodike të monitorimit të huasë në Ministrinë e Financave. Nuk ka rakordim të qartë mes ekzekutimit të huasë dhe objektivave të korporatës. Kjo përbën shkelje të detyrimeve për raportim financiar dhe kontroll të brendshëm, sipas ligjit për menaxhimin financiar publik.