Komedia “Pallati 176” në kinemanë verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave u shfaq me praninë e disa prej aktorëve të saj, që e sollën në skenë vite më parë. Në këtë aktivitet të zhvilluar në oborrin e ridimensionuar të institucionit, ishin të pranishëm nëndrejtoresha e përgjithshme e DPA-së Marinela Ndria, aktorët protagonistë të kastit Eva Alikaj, Gëzim Rudi, Elida Janushi, si edhe Edon Qesari, i biri i regjisorit të ndjerë Andon Qesari, dhjetëra qytetarë dhe dashamirës të filmit. Fjala përshëndetëse u mbajt prej Ndrias, e cila theksoi rëndësinë e vlerësimit të kontributit të artistëve shqiptarë, nëpërmjet risjelljes së realizimeve që i kanë rezistuar kohës. Në vijim, mori fjalën Janushi, e cila përshëndeti angazhimin e DPA-së lidhur me përzgjedhjen e kësaj shfaqjeje teatrale, në kuadër të sezonit artistik kushtuar komedisë.
“Faleminderit organizatorëve të këtij eventi. Respekt i jashtëzakonshëm për kolegët tanë që me dashuri dhe përkushtim të madh e vunë në skenë atë pjesë të thjeshtë, si nga regjisorët dhe kolegët e mi. Më bëhet qejfi që vitet kanë kaluar dhe ‘Pallati 176’ mbetet në vëmendjen tuaj”, u shpreh Janushi. Më tej, mbajti një fjalë rasti edhe Alikaj, që nënvizoi se “Pallati 176” është një komedi ende mjaft popullore. “Atëherë, Ilir Bezhani më tha që kjo do të ishte një shfaqje që do mbushte teatrin. Jo vetëm që kishte të drejtë, por kjo i kaloi parashikimet e të gjithëve. Është kthyer në një kult”, tha Alikaj. Në nderim të regjisorit Andon Qesari ishte i ftuar i biri, Edon Qesari, i cili tha se kjo vepër e mbajtur mend përmendësh, prapë vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut artdashës.
Komedia “Pallati 176” me regji nga Andon Qesari dhe Alfred Bualoti është vënë në skenë mbi 450 herë. “Pallati 176” është shkruar nga Adelina Balashi dhe është shfaqur në Tiranë në vitin 1986. Në role janë Roland Trebicka, Elida Janushi, Pavlina Mani, Violeta Manushi, Eva Alikaj, Ilir Bezhani, Anastas Kristofori, Gëzim Rudi, Merita Zoto.
Komedia “Pallati 176” që u vu në skenë në 1986 shfaqet në kinemanë verore
