Albcontrol, institucioni që kontrollon trafikun ajror dhe menaxhon miliona euro në kontrata ndërkombëtare, dyshohet se është futur zyrtarisht në duart e njerëzve të pushtetit. Emërimet e fundit në bord dhe drejtimin e institucionit hedhin hije dyshimi për një skemë të qartë nepotizmi dhe riciklimi të individëve të lidhur me elitën politike. Më 7 qershor 2025, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli pozicionin vakant për Drejtorin e Përgjithshëm të Albcontrol, duke ftuar kandidatët të aplikonin deri më 11 korrik. Shtatë kandidatë dorëzuan dokumentet, përfshirë: Xhevatir Sulaj, Dritan Isaku, Ekuel Jella, Idajet Feçi, Armelina Lila, Myzafer Latifi dhe Klest Dashi. Pas procesit të përzgjedhjes, drejtimin e Albcontrol-it e ka marrë Dritan Isaku, një emër që ndodhet në qendër të akuzave për abuzime me tenderët dhe lidhje klienteliste.
Kujtojmë se Dritan Isaku ishte Administrator i Përgjithshëm (CEO) i Albcontrol sh.a. ku në mesin e vitit 2024, zëvendësoi paraardhësen Laureta Omeri. Ky tranzicion erdhi papritur dhe me urgjencë. Burime raportuan se Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dyshohet se shkarkoi zonjën Omeri pas mosmarrëveshjeve të brendshme, pasi kjo e fundit refuzonte të firmoste urdhra “të përcjella me SMS kërcënuese” dhe jo në rrugë zyrtare. Roli i Isakut në këtë pozicion ishte që të përfshinte menaxhimin e shërbimeve të navigimit ajror të Shqipërisë, administrimin e hapësirës ajrore kombëtare dhe garantimin e operacioneve të sigurta të trafikut ajror. Emërimi i tij ndodhi në një kohë sfiduese për kompaninë: Albcontrol ishte financiarisht në vështirësi për shkak të një detyrimi arbitrazhi prej 108 milionë euro që rëndoi mbi qeverinë shqiptare në favor të biznesmenit Francesco Becchetti.
Skandali
Por më skandalozja është përbërja e Këshillit Drejtues të ri të Albcontrol, emëruar me urdhër të Ministrisë së Infrastrukturës nr. 36, datë 11.03.2025. Pjesë e këtij bordi është Eda Vengu, bashkëshortja e Pirro Vengut, aktualisht Ministër i Mbrojtjes. Kjo përbën një shembull të qartë se si njerëzit e qeverisë po vendosin familjarët e tyre në poste strategjike dhe fitimprurëse. Përveç saj, në bord janë emëruar edhe Irma Droboniku, Genc Gjoçaj, Feliks Baci dhe Endrit Yzeiraj.
Fakti që gruaja e një ministri merr një post të tillë në një nga institucionet më të rëndësishme dhe fitimprurëse në vend, është tregues i kapjes totale të institucioneve nga rrethi i ngushtë i pushtetit. Dyshimet janë se këto emërime nuk janë të bazuara në meritë apo konkurrencë të ndershme, por në një rrjet të mirëstrukturuar nepotizmi dhe klientelizmi politik. Në vend që të ishte një shembull i reformimit të administratës dhe pavarësisë institucionale, Albcontrol shndërrohet kështu në një strofull për njerëzit e afërt me qeverinë, duke u përdorur si shpërblim për besnikëri politike. Këto zhvillime bien ndesh me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian dhe minojnë çdo përpjekje për krijimin e një administrate profesionale, të depolitizuar dhe me standarde europiane.
Zgjidhet bordi nepotik i Albkontrollit, gruaja e Pirro Vengut zapton postin, Dritan Isaku drejtor i Albkontrollit…
