Ja si vjedhin pushtetarët e lartë dhe oligarkët nëpërmjet tenderave, kompanive fantazmë dhe parave “cash”, SPAK….

Nuk ka dashuri më të madhe se ajo mes pushtetit dhe parasë. Dhe në këtë romancë të zjarrtë, SPAK tregon se nuk kemi të bëjmë me ndonjë “rast të izoluar”, por me një rrjet të organizuar ku politika bën ligjin dhe bashkë me biznesin marrin milionat. Sipas raportit të SPAK-ut për vitin 2024, skemat janë aq të sofistikuara, sa që ndoshta duhet të përfshihen në kurrikulën e shkollave të administratës publike: “Si të vjedhësh ligjërisht dhe të dukesh si njeri i ndershëm”. Plani është i thjeshtë për ata që janë brenda: Krijo një kompani fantazmë, ku pronari zyrtar është kushëriri i kushëririt të gruas së shoferit të hallës. Lidhu me zyrtarët publikë, të cilët të ndihmojnë në tendera dhe madje të garantojnë që komisioni i vlerësimit të ofertave të jetë i përbërë nga “çunat tanë”.
Fito tenderin me zero konkurrencë, pavarësisht se kompania jote nuk ka as zyrë, as punonjës, as numër telefoni që të përgjigjet. Merr lekët dhe hiqi nga banka me thasë me cash, sepse pista e ndjekjes ndalet kur nuk ka më gjurmë elektronike. Ri-investo në pasuri të paluajtshme, preferohet në emër të kunatit ose dhëndrit që është gjithmonë “jashtë shtetit”.
Ja çfarë thotë SPAK në raport
Korrupsioni me tenderat dhe pastrimi i parave janë dy nga rrugët që zyrtarët e lartë shqiptarë zgjedhin për të vjedhur lekët e taksapaguesve shqiptarët. Sipas raportit të SPAK-ut, rezulton se korrupsioni i zyrtarëve të lartë zhvillohet në një terren kompleks, përmes manipulimit të procedurave publike dhe shfrytëzimit të pozicioneve zyrtare për përfitime personale. Ndër veprat penale më të zakonshme janë falsifikimi i dokumenteve, korrupsionin aktiv e pasiv, shpërdorimin e detyrës, falsifikimin e vulave etj. Hetimet kanë treguar ngritjen e shoqërive tregtare, të cilat janë përdorur për të përfituar në mënyrë të parregullt kontrata publike duke shkelur ligjin dhe rregullat e prokurimit. Kjo ka sjellë përfitime monetare të cilat më pas janë fshehur përmes veprimeve fiktive financiare dhe janë përvetësuar nga pronarët e shoqërisë. Në mënyrë të veçantë, është evidentuar se një pjesë e këtyre fondeve është tërhequr jashtë sistemit bankar në formë “cash”, ndërsa një pjesë tjetër është ri-investuar në aktivitete tregtare dhe në blerjen e pasurive të paluajtshme. Kjo mënyrë veprimi tregon për një tipologji të korrupsionit në formë të sofistikuar, ku krijimi i skemave të fshehta financiare dhe përdorimi i ndërmjetësve luajnë një rol kyç në shmangien e zbulimit nga autoritetet.
Biznesi dhe politika
Skema përfshin bashkëpunimin mes aktorëve publikë dhe privatë, ku zyrtarët  publikë manipulojnë procedurat ligjore, ndërsa oligarkët përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga fondet publike. Skema nuk funksionon vetëm si një akt individual i korrupsionit, por mbështetet nga një rrjet i sofistikuar, i cili përfshin ndërmjetës financiarë dhe kompani të lidhura. Ky mekanizëm vështirëson identifikimin e përfituesve të fundit dhe pengon ndjekjen penale efektive. Pastrimi i parave përmes transaksioneve fiktive dhe investimeve të fshehta është një element thelbësor i kësaj skeme. Përdorimi i “cash”-it për të shmangur gjurmët financiare dhe ri-investimi i fondeve në aktivitete të tjera ekonomike tregon për një nivel të lartë të sofistikimit. Sipas raportit vihet re një tendencë për sofistikimin e skemave korruptive të abuzimit me fondet publike në nivel qendror dhe lokal.
Çfarë përshin skema korruptive, si ndodh në realitet
Fillimisht krijohet një subjekt tregtar fiktiv, të cilat ngrihen dhe kontrollohen nga zyrtarët publik me qëllim të përfitimit të fondeve publike. Përmes këtyre shoqërive/subjekteve zyrtarët kontrollojnë të gjithë procesin e tenderimit qoftë nga ana e institucioneve publike në nivel qendror ose lokal, por qoftë edhe të subjektit tregtar që aplikon për këto fonde. Roli i ortakëve të fshehtë: Ortakët de facto të shoqërive tregtare të cilat aplikojnë për fondet publike, fshihen dhe nuk dalin në pah por përdorin persona të tjerë si ortakë fiktivë, de jure në dokumentacionin e shoqërisë. Manipulimi i procedurave të prokurimit: Zyrtarët publikë shkelin rregullat e prokurimit publik për të favorizuar subjektin tregtar i cili është paracaktuar për ta fituar tenderin publik. Ky manipulim përfshin edhe pjesëmarrjen dhe shpalljen fituese të subjektit në disa procedura prokurimi të realizuara nga autoriteti kontraktor publik. Në disa raste, zyrtarët ndikojnë në caktimin e anëtarëve të komisioneve të vlerësimit të ofertave, duke përfshirë edhe njëri- tjetrin, për të siguruar që oferta e subjektit tregtar të paracaktuar të shpallet fituese. Në finale e gjithë skema rezulton në nënshkrimin e kontratave të sipërmarrjes në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë kontroll të plotë mbi procedurat e prokurimit.