Belgjika, Gjermania dhe Franca sjellin 3 dosje në SPAK, ja si ndërkombëtarët po ndihmojnë Dumanin për të çmontuar….

Ndërkombëtarët mesa duket po shfaqin një rol shumë të rëndësishëm në luftën antikorrupsion në Shqipëri. Reforma në drejtësi u bë falë investimeve dhe këmbënguljes së tyre, ndërsa duket se të gjithë i kanë sytë te SPAK dhe Byrja Kombëtare e Hetimit. Prokuroria e Posaçme në raportin vjetor për vitin që lamë pas, ka bërë me dije se ndërkombëtarët kanë nisur të sjellin dosje për çështje të caktuara. Sipas SPAK, kemi 3 dosje që kanë ardhur nga Belgjika, Gjermania dhe Franca. “Gjatë vitit 2024 autoritetet e huaja të drejtësisë dhe konkretisht Belgjika, Gjermania dhe Franca, kanë transferuar 3 procedime penale, për të cilat janë regjistruar procedimet penale përkatëse në Prokurorinë e Posaçme”, thuhet në raportin e SPAK.
Në raport nuk specifikohet se për çfarë çështjesh bëhet fjalë, por Franca dhe Belgjika kanë qenë dy shtetet që sollën të dhëna shumë të forta në vendin tonë për përgjimet e SKY ECC. SPAK vazhdon veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë marrjen e informacioneve nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, marrjen e provave nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera, kërkimin, zbulimin dhe administrimin e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe analizimin me hollësi të të dhënave dhe dokumentacionit që është administruar nga platformat “Sky ECC”.
Bashkëpunimi i SPAK me ndërkombëtarët
SPAK thotë se gjatë vitit 2024, është rritur ndjeshëm komunikimi i drejtpërdrejtë i Prokurorisë së Posaçme me autoritetet homologe evropiane, amerikane, të rajonit dhe të Amerikës së Jugut. “Lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, nën koordinimin edhe të Eurojust, edhe gjatë vitit 2024 ka vijuar bashkëpunimi i frytshëm sa i përket krijimit të skuadrave të reja të përbashkëta hetimore dhe vazhdimit të veprimtarisë së atyre ekzistuese. Vetëm gjatë vitit 2024, ndërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve të huaja janë krijuar 10 skuadra të përbashkëta hetimore të reja. Në total, numri i skuadrave të përbashkëta hetimore aktive në Prokurorinë e Posaçme, që nga krijimi i saj deri në vitin 2024, është 27. Gjatë vitit 2024, veprimtaria e këtyre skuadrave është fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, përfshirë edhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Në kuadër të veprimtarisë së Skuadrave të Përbashkëta Hetimore, gjatë vitit 2024 janë mbajtur 18 takime koordinuese me autoritetet e huaja palë në këto skuadra, përveç mbledhjeve të përbashkëta të realizuara nëpërmjet video-konferencës. Kjo veprimtari ka çuar në regjistrimin e 166 shtetasve si persona nën hetim si dhe në vendosjen nga ana e gjykatave të 147 masave të sigurimit personal. Vlen të theksojmë se gjatë vitit 2024, është rritur ndjeshëm edhe komunikimi i drejtpërdrejtë i Prokurorisë së Posaçme me autoritetet homologe evropiane, amerikane, të Rajonit dhe të Amerikës së Jugut. Po kështu, është intensifikuar shkëmbimi i informacionit nëpërmjet rrjeteve dhe kanaleve të sigurta të komunikimit me Eurojust, Interpol, Europol etj. Ka vijuar gjithashtu komunikimi intensiv me prokurorët dhe oficerët ndërlidhës që mbulojnë Shqipërinë, të atashuar pranë Ambasadave të huaja në Tiranë, apo jashtë Shqipërisë, duke forcuar bashkëpunimin dhe rritur efektivitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar”, thuhet në raport.