Komedia “Pallati 176” do të shfaqet në kinema me praninë e disa prej aktorëve

Komedia “Pallati 176” këtë mbrëmje në kinemanë verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Kësaj herë, disa nga aktorët do të jenë dhe si spektatorë. Mes të ftuarve, do të jenë të pranishëm Eva Alikaj, Gëzim Rudi, Elida Janushi, Ilir Bezhani, si edhe Evis Trebicka, e bija e protagonistit të ndjerë, “Jovan Bregu” Roland Trebicka.
Komedia do të shfaqet këtë mbrëmje për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim  me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), një shfaqje e rekordeve, ku “Pallati 176” është vënë në skenë mbi 450 herë. Në skenën e teatrit komedia erdhi me regji nga Andon Qesari dhe Alfred Bualoti. Të tjerë aktorë të njohur në role janë Pavlina Mani, Violeta Manushi, Anastas Kristofori, Merita Zoto.
“Pallati 176” është shkruar nga Adelina Balashi dhe është shfaqur në Tiranë në vitin 1986. Një komedi e njohur dhe e dashur nga të gjithë, nën interpretimin e aktorëve më të njohur të Teatrit Kombëtar atë kohë, “Pallati 176” u soll në ekranin televiziv nga regjisori Mevlan Shanaj. Komedia “Pallati 176” flet për dashurinë e një çifti (Elsa dhe Fredi), të cilët mendojnë se dashuria e tyre është e pamundur, sepse nuk mund t’ua tregojnë prindërve të tyre. Babai i Fredit (Jovan Bregu) i dërgon një letër drejtorit të tij (Perikliut), i cili ishte babai i Elsës.
Në letër shkruhej se Elsa takohej me një djalë që vinte nga një familje e shthurur. Por Jovani e dërgon atë letër pa e ditur lidhjen midis djalit të tij me Elsën. Ai e shkroi atë letër me qëllim që Elsa të fejohej me Sandrin (djalin e xhaxhait të tij), që më në fund ai të merrte magazinën që kërkonte dhe të bëhej magazinier. Por ajo letër i krijon shumë probleme atij. Kur prindërit e Elsës mësojnë lidhjen e vajzës së tyre me Fredin ata nuk pranojnë, por në fund kur të dyja palët e mësojnë detyrohen ta pranojnë dashurinë e fëmijëve të tyre.