Nga Julia Vrapi
Vepra teatrore shqiptare dhe të huaja, premiera dhe shfaqje të tjera do të jenë në skenë përgjatë këtij muaji në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Jo vetëm shfaqje për të rritur, por programi artistik vijon dhe me projekte të ndryshme për fëmijë, si dhe shfaqje nga “TK-RIN-ART” -Festivali i shkollave të mesme të Tiranës. Programi me shfaqje për të rritur këtë muaj nisi me shfaqjen teatrore “Streha e Nemun” me regji nga Ilir Bokshi dhe në role Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Adrian Morina. “Pylli i mistershëm” me regji nga Dajana Nenaj një shfaqje për fëmijë do të vijojë herë pas here përgjatë këtij muaji. Kjo shfaqje premierë për fëmijë është produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Këtë mbrëmje vjen dhe “Braktisja e dytë”, shfaqje artistike e realizuar në kuadër të javës rome me iniciativë të IRICA. Në datat 6, 7, 8 këtë muaj në skenë vjen një shfaqje që titullohet “Komshinjtë” me regji nga Florian Binaj. “Aladini” me regji nga Elona Hyseni do të jetë në datat 9, 10 dhe 11 këtë muaj nën interpretimin e fëmijëve nga “Klea Huta Akademi”. Në programim artistik është dhe “Hip-Hop Internacional” kampioni ndërkombëtar i hip-hopit në datën 13 prill, ndërsa shfaqja e gjimnazit “Aleks Buda” do të jetë në datën 16 këtë muaj dhe shfaqja e gjimnazit “Arben Broci” do të jetë në datën 23 prill. “Në Altar” me regji dhe dramatizim Belkisa Zhelegu do të jetë në skenë në datat 26 dhe 27 këtë muaj dhe me interpretimin e shtatë aktorëve. Programi artistik mbyllet këtë muaj me një shfaqje që do të jetë në kuadër të festivalit “Medium” dhe vjen në skenë në datën 30.
“Vrasje në vjeshtë” produksion i TKE
“Vrasje në vjeshtë” mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit vjen në skenë me regji dhe dramatizim nga Stefan Çapaliku si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental. Në role në shfaqjen që do të jetë në skenë në datat 17, 18, 19 dhe 20 këtë muaj interpretojnë Mehmet Xhelil, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj. Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit. Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë.
Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar. Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri pa identitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht.
Premiera teatrore, vepra shqiptare dhe të huaja, si dhe “TK- RIN -ART” në Teatrin Eksperimental
