Shfaqjet e fundit të komedisë “Probleme me pijen” në Metropol

“Probleme me pijen” vijon me shfaqjet e fundit të saj në skenën e teatrit Metropol në Tiranë. Këtë fundjavë janë 2 shfaqjet e fundit të komedisë nga Tom Smith me regji Aldi Hysotoçi. Një manastir, një sekret dhe një kaos i vërtetë në komedinë “Probleme me pijen”. Motrat e Manastirit të Qepjes së Përjetshme po fshehin një sekret të shijshëm: po prodhojnë verë në mënyrë ilegale për të shpëtuar manastirin nga mbyllja! Ndërkohë, dy gazetarë kurioz, Poli dhe Selli vendosin të futen në lojë…si prift dhe murgeshë! Por kur arrijnë në manastir, gjithçka del jashtë kontrollit: një murgeshë e re, një valë keqkuptimesh, panik kolektiv dhe një kaos hyjnor që përfshin dashuri, intriga dhe shumë, shumë verë! Komedia do të vijojë edhe këtë mbrëmje si dhe në datën 6 prill.
Në role janë Luiza Xhuvani, Milto Kutali, Elona Hyseni, Erjona Kakeli, Ilirda Bejleri, Xhino Musollari, Amri Hasanlliu, Ketjona Pecnikaj, Klajdi Malellari, Alesia Zefi. Përktheu veprën Niazi Mema, as. regji Klodian Çelmeta, Klajdi Malellari, skenograf Ibrahim Burgu, kostumograf Frenci Gjerasi, koreograf Armando Rustemi, kompozitor Artemis Veizaj. Premiera e komedisë “Probleme me pijen” është në vijim të programit artistik në skenën e teatrit Metropol në Tiranë. Veprën e autorit amerikan Tom Smith e sjell në skenë Aldi Hysotoçi, që për publikun është i njohur dhe me vepra të tjera më parë si regjisor në teatër. Ndër të tjera vepra që ka sjellë në skenë si regjisor Aldi Hysotoçi përmendim dhe “Shtëpia e re” vepër shqiptare, “Zyshë e dashur”, etj.