Dëmtime të rënda dhe rrezik për sigurinë, mbyllet Ura e Milotit

Ura e Milotit është mbyllur plotësisht për qarkullimin rrugor, për shkak të dëmtimeve të rënda që rrezikonin sigurinë e përdoruesve të rrugës dhe qëndrueshmërinë e saj strukturore.
Vendimi u mor pas një vlerësimi paraprak të situatës nga një grup inxhinieresh të universitetit politeknik të Tiranës, të shoqëruar nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ata kanë qenë në terren për të shqyrtuar mundësinë e një zgjidhjeje të përkohshme, si dhe për të përcaktuar hapat për ndërhyrjen afatgjatë.
Shefi i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Lezhës, Valmir Nikolli, bëri të ditur se për shkak të rëndësisë që ka kjo urë për qarkullimin, autoritetet janë në gatishmëri për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe se momentalisht mund të përdoret segmenti dytësor Lezhë-Milot-Rubik- rruga e kombit për të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt verilindjes dhe veriut te vendit si dhe drejt Kosovës.
Si pasojë e mbylljes së urës dhe fluksit të lartë të pushuesve drejt bregdetit të Shëngjinit dhe Velipojës, është krijuar trafik i rënduar në aksin Lezhë–Milot, por Nikolli sqaron se mbyllja ishte për të rritur sigurinë e përdoruesve të rrugës qe kalonin mbi urën e Milotit.
Nga vlerësimi teknik i bërë mbi urën, e cila ka një gjatësi prej 788 metrash, është konstatuar se ajo paraqet një rrezik serioz për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse. Këto dëmtime janë shkaktuar nga erozioni i theksuar dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i zhavorrit në shtratin e lumit Mat.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se qarkullimi do të qëndrojë i mbyllur deri në përfundimin e ndërhyrjes emergjente, e cila po realizohet në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe do të nisë në ditët në vijim. Ndërkohë, ndërtimi i urës së re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, që realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.