Nga Julia Vrapi
Kërkimi shkencor vazhdon të përballet me probleme, por dhe aktet normative po deformojnë ligjin e ri për shkencën. Pas miratimit të ligjit për kërkimin shkencor në tetor 2024, kryetari i Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushi një ditë më parë tha se hartimi i akteve nënligjore duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe frymën e tij dhe jo duke e deformuar dhe keqinterpretuar. Kërkimi shkencor, zbatimin i ligjit të ri për shkencën apo dhe aktet nënligjore që lidhen me problematikat ishin disa nga çështjet që trajtoi një ditë më parë kreu i ASH akademik Gjinushi, sipas të cilit reformimi i sistemit të kërkimit shkencor tek ne është domosdoshmëri. Herë pas here në reagimet e tyre studiues e akademikë të ndryshëm kanë sjellë në vëmendje problemet me kërkimin shkencor në vend, por duket se dhe aktet nënligjore nuk po rregullojnë dot defektet që vetë ligji i ri ka.
Një ditë më parë kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë tha se Akademia e Shkencave, pas fazës së parë të reformës që kishte për objekt vetëreformimin e saj e të strukturave pranë saj tashmë është e angazhuar në fazën e dytë të reformës, e cila synon reformimin e sistemit të kërkimit shkencor në vend nëpërmjet forcimit e zgjerimit të njësive ekzistuese kërkimore dhe krijimit të atyre të reja në fushat kryesore të dijes. “Reformimi i sistemit të kërkimit shkencor te ne është domosdoshmëri për shkak të prapambetjes që ka ai në krahasim me Europën, e madje edhe me vendet e rajonit. Anëtarësimi ynë në BE, procesi i Berlinit, strategjia e kërkimit shkencor për 2023-2030-n e vetë ligji i ri për shkencën e rrisin presionin për të pasur një ecuri të mirëmenduar e të koordinuar në këtë drejtim, me synimin konkret që investimi e financimi për shkencën të arrijë së paku në mbi 1 për qind të GDP-së”, tha Gjinushi.
Hartimi i akteve nënligjore
Ligji i miratuar muaj më parë ka për qëllim krijimin e kushteve për zhvillimin dhe funksionimin e një sistemi bashkëkohor të shkencës dhe kërkimit shkencor. Gjinushi thotë se Akademia e Shkencave kontribuoi aktivisht në hartimin e ligjit për shkencën, duke e parë atë si një bazë të mirë për t’i dhënë një impuls të ri kërkimit shkencor e shkencës në tërësi, nëpërmjet një sistemi që ngrihet e funksionon sipas standardeve e parimeve të kohës. “Po me atë përgjegjësi e interes po ndjekim e vlerësojmë se hartimi i akteve nënligjore, në zbatim të tij, duhet të jenë në përputhje me ligjin e frymën e tij, duke rritur efektshmërinë e qartësinë e veprimit të ligjit e jo duke e deformuar e keqinterpretuar atë”, vijon Gjinushi në deklaratën e tij. Sa i takon akteve nënligjore, sipas kreut të ASH është mundësia që t’u jepet zgjidhje disa prej problemeve kryesore që lidhen me kërkimin shkencor në Shqipëri.
“Siç janë: statusi e kategorizimi i punonjësve kërkimorë-shkencorë, respektimi i kodit etik në kërkim e lufta ndaj plagjiaturës; standardizimi e rankimi i instituteve e vetë kërkuesve shkencorë; financimi i kërkimit shkencor, ligjërimi i bashkëpunimit institute-shkolla të larta në projekte të përbashkëta, e veçanërisht në realizimin e programeve të doktoraturës etj. Projektaktet, deri më tani, nuk i plotësojnë pritshmëritë. Ato s’duhet të jenë produkt i strukturave të dominuara nga administrata burokratike, i veprimeve të nxituara dhe, mbi të gjitha, ato duhet të tejkalojnë frymën e mosbesimit ndërinstitucional që shoqëroi ligjin për shkencën”, shprehet Gjinushi, sipas të cilit është e drejtë dhe rishikimi i ligjit për arsimin e lartë në vend, që duhet të jetë në harmoni me atë të shkencës. “Ligji për shkencën, ai për arsimin e lartë e ai për Akademinë e Shkencave nuk janë ligje konkurruese, por duhet të jenë komplementare e duhen trajtuar si të tillë”, vijon ai. Për kryetarin e ASH, sistemi i kërkimit shkencor e sistemi i shkollave të larta nuk janë të ndarë, por të ndërthurur e nuk mund të zhvillohen pa njëri-tjetrin.
Problemet e pazgjidhura
Për Gjinushin Akademia e Shkencave, si një institucion i rëndësisë së veçantë në kërkimin shkencor, e koncepton çdo zhvillim të sajin në bashkëpunim me shkollat e larta dhe çdo projekt i iniciuar, financuar a mbështetur nga ASH-ja ndërmerret në bashkëpunim e me pjesëmarrjen e specialistëve të IAL-ve. Në deklaratën për mediat, kryetari i Akademisë së Shkencave, vuri theksin edhe te problemet e pazgjidhura si statusi e kategorizimi i punonjësve kërkimorë- shkencorë, respektimi i kodit etik në kërkim e lufta ndaj plagjiaturës, etj.
“Fuqizimi i sistemit të kërkimit, i peshës e rolit aktiv të Akademive ndikon drejtpërdrejt në fuqizimin e sistemit të arsimit të lartë. Këto, fatkeqësisht, nuk kuptohen nga kushdo, çka çoi në shtimin e disa kufizimeve ambigue a të panevojshme në ligjin e ri për shkencën, të cilat kanë tendencën të thellohen me hartimin e projektvendimeve në proces, e këto përbëjnë shqetësimin tonë. Për këto arsye: nuk po i jepet një zgjidhje e duhur, por vetëm formale, për etikën e plagjiaturën në kërkim; kategorizimi i kërkuesve shkencorë zhvleftësohet e nuk jep efektin për të cilin është parashikuar në ligj; cënohet autonomia ose krijohen shtigje keqinterpretimi për shkeljen e saj në financimin e institucioneve e të instituteve kërkimore; komprometohet nevoja e bashkëpunimit midis instituteve dhe IAL-ve, duke e kthyer këtë bashkëpunim nga një domosdoshmëri të ligjshme në atribut të njësive të veçanta”, shprehet Gjinushi. Sipas kreut të ASH-së vetë koha e parashikuar në ligj, nëntor 2025, për miratimin e akteve nënligjore lejon që ato të jenë produkt i një fryme bashkëpunuese ndërinstitucionale, pa nxitim e imponim në harmoni me ligjin e qëllimin e tij, çka do të mundësohej e do të institucionalizohej dhe me vënien në funksionim të Këshillit Kombëtar për Shkencën e Kërkimin Shkencor, i cili ngrihet për herë të parë pikërisht për këtë qëllim.
“Kjo risi e ligjit kërkon që aktet, para miratimit përfundimtar, të marrin mendimin e këtij Këshilli, ku janë të përfaqësuar institucionet kryesore të politikëbërjes, zhvillimit e financimit të kërkimit shkencor”, shprehet Gjinushi. Deklarata të enjten e kreut të ASH akademik Skënder Gjinushi vjen pas takimit që kryeministri Edi Rama pati me rektorët e universiteteve, ku ai tha se ligji për arsimin e lartë duhet të ndryshojë dhe se universitetet kanë nevojë t’i nënshtrohen një reforme. Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor për të cilin u shpreh dhe Gjinushi njw ditë më parë drejtohet nga kryeministri dhe përbëhet nga 19 anëtarë. Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor sipas ligjit për shkencën që u miratua muaj më parë orienton politika mbështetëse për shkencën dhe kërkimin shkencor; rekomandon fushat prioritare të shkencës e të kërkimit shkencor dhe mekanizmat e mbështetjes; jep mendim në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Shkencës dhe Kërkimit Shkencor, analizon sistemin kombëtar të shkencës e të kërkimit shkencor, etj.
Kërkimi shkencor dhe problemet, Gjinushi: Hartimi i akteve nënligjore duhet të jetë në përputhje me ligjin
