Shqipëria ka avancuar në procesin e integrimit për në Bashkimin Europian, duke hapur në tetor kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE, pas një procesi të gjatë të nisur që në 2009-n.Kjo nënkupton që shteti kandidat duhet të harmonizojë legjislacionin me shtetet e BE-së dhe të plotësojë kriteret e tjera specifike të Bashkimit Europian, përfshirë aspektet ekonomike, sociale, politike dhe ligjore, çka nënkupton reforma të rëndësishme për rritjen e transparencës, luftën kundër korrupsionit dhe ruajtjen e rendit demokratik.Ndonëse hyrja faktike për në BE do të kërkojë ende kohë, ndoshta dekada, ky proces, së bashku me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor vlerësohen nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare si një shans i madh për vendin.“Në fushën ekonomike, Shqipëria duhet të përshpejtojë përgatitjet për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, BE-ja synon të japë një shtysë të madhe drejt mbylljes së hendekut të konvergjencës ekonomike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.Së fundi, një sfidë e madhe për Shqipërinë është përafrimi me standardet e BE-së në të gjitha fushat që mbulohen nga ligjet e BE-së.Kjo kërkon jo vetëm ndryshime në ligje, por edhe kapacitete administrative, buxhete, investime”, ka pohuar në një intervistë për “Monitor”, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.“Përmirësimi i cilësisë institucionale do të jetë thelbësor për të trajtuar nivelet e larta të emigrimit, mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë nëpërmjet investimeve publike të përshtatura në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë cilësore.Për të siguruar progres të mëtejshëm, Shqipëria duhet gjithashtu të qëndrojë e përkushtuar ndaj zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të planit të rritjes me fokus në integrimin rajonal dhe të tregut në BE, si lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve”, thotë Zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve (EIB), Robert de Groot.“Banka Europiane e Investimeve (EIB Globale), si banka e BE-së, është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në këto përpjekje për përthithjen e 922 milionë eurove të parashikuara në planin për vendin”, pohon ai.“Reformat strukturore, në kuadër të procesit të integrimit në BE, mund të rrisin ndjeshëm potencialin ekonomik”, thotë Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë.Në të njëjtën linjë është dhe Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri. “Zbatimi më i shpejtë i reformave strukturore, i mbështetur nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, mund të nxisë rritjen”, pohon ajo.Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor është një nismë strategjike e Bashkimit Europian (BE) që synon të përfshijë shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE, duke mbështetur zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.Ky proces ka si qëllim të forcojë lidhjet politike, ekonomike dhe sociale midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që i nxit këto shtete të implementojnë reforma të thella që përputhen me kërkesat e Bashkimit Europian. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
