“Plani i rritjes, reformat më efektive se fondet”

Intervistë me Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimor i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimor i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, me përvojë në monitorimin e projekteve të integrimit, thotë se, më tepër se aspekti financiar (grante 80 milionë euro në vit), Plani i Rritjes është një ushtrim i mirë për institucionet shqiptare për të qenë gati për anëtarësim.Ai tha se komuniteti i biznesit nuk po e shfrytëzon mundësinë për të përfituar nga paketa, pasi nga qershori 2024, BE-ja bashkëfinancon me grant deri në 50% të kostos së një projekti infrastrukture transporti. Z. Haçkaj shpjegon përparësitë dhe dobësitë e Shqipërisë për të përfituar nga Plani. Cilat janë pikat kryesore të planit të rritjes së BE për Shqipërinë dhe si mund të ndikojnë ato në ekonominë e vendit?Plani i Rritjes në Shqipëri parashikon mbështetje financiare prej 922 milionë eurosh për një periudhë 4-vjeçare (shumë e cila u shtohet fondeve ekzistuese IPA), nga të cilat një e treta janë dhuratë.Së bashku me fondet IPA, shuma e fondeve nga BE si dhuratë (jo kredi) për vendin në këtë periudhë shkon në 180 milionë euro në vit.Këto shuma planifikohen të kontribuojnë në bashkëfinancimin e projekteve të infrastrukturës në vend si OHTL / Linja ajrore e re e transmetimit 400 kV Rrashbull (Shqipëri) – Arachtos (Greqi); Rehabilitimi i HEC-it të Vaut të Dejës; Hekurudha Kristalopigji / Greqi me Pogradecin; segmenti Stacioni hekurudhor Vlorë – Aeroporti i Vlorës (12 km), “Smart Labs”, etj.Këto projekte, kryesisht infrastrukturore, do të vijnë nëpërmjet instrumentit të investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).Është interesant të nënvizohet që nuk ka pasur interes nga sektori privat për qasje në fondet dhuratë të BE-së. Investimet e fundit private të lajmëruara në infrastrukturën rrugore shqiptare po bëhen nëpërmjet PPP.Si pasojë, biznesmenët shqiptarë nuk po e shfrytëzojnë faktin që duke filluar nga qershori 2024, BE bashkëfinancon me grant deri në 50% të kostos së një projekti infrastrukture transporti.Ndërkohë, lista e reformave që parashikohen të mbështeten nga fondet e Planit të Rritjes synon të nxisë përgatitjet ekonomike të orientuara nga tregu për përshpejtimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në Tregun Unik të BE-së, dhe drejt progresit në konvergjencë me vendet anëtare të Bashkimit Europian.Fokusi kryesor i Agjendës Kombëtare të Reformave 2024 – 2027 është përmirësimi i klimës së favorshme ndaj biznesit dhe nxitja për rritjen ekonomike. A mendoni se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturore për të përfituar maksimalisht nga ky plan?Ndërsa Shqipëria i ka kapacitetet për të bërë punimet në terren, për fazën e inxhinierisë, dizajnit teknik dhe të mbikëqyrjes fare mirë, kompanitë shqiptare mund të bashkëpunojnë me kompani inxhinierike europiane.Kjo formë bashkëpunimi sjell në Shqipëri përvojën më të mirë botërore në inxhinierinë e infrastrukturës – qoftë në rrugë, hekurudhë, porte apo transport ajror – së bashku me standardet e BE ku synojmë të anëtarësohemi në 2030.Në të njëjtën kohë, kompanitë shqiptare përfitojnë për të marrë përvojë, ekspertizë dhe për të krijuar partneritet me kompani lider në tregun europian, e cila do t’u duhet për të ardhmen dhe për projekte të tjera jo vetëm në Shqipëri.Rikujtoj faktin që është financimi i projekteve të infrastrukturës komponenti që kërkon vëmendje. Për mua nuk ka sens që ndërtuesit shqiptarë të mos kërkojnë të përfitojnë nga mundësitë financiare që ofron anëtarësimi i vendit me BE. Si mund të ndikojë plani në zhvillimin e sektorëve kyç, si energjia, logjistika, transporti, bujqësia dhe turizmi?Në energji dhe transport, ndikimi do të jetë i drejtpërdrejtë. Në bujqësi dhe turizëm pritet që lidhjet më të mira infrastrukturore dhe cilësia më e lartë e furnizimit me energji të përmirësojnë ofertën turistike të vendit.E shoqëruar me investime paralele ambicioze te kapitali njerëzor mbështetës, përfitimet do të jenë shumë më të mëdha.CDI nxit institucionet përkatëse t’u japin përparësi investimeve të qenësishme në projekte që mbështesin dhe zhvillojnë kapitalin njerëzor në vend.Nga ana tjetër, komponenti i reformave ndikon drejtpërdrejt në rrugëtimin e vendit drejt BE-së me synim anëtarësimin në 2030.                A ka ndonjë rrezik që fondet ose projektet e planit të mos përdoren në mënyrë efektive? Si mund të shmangen këto sfida?Rreziku ekziston dhe paraqitet kryesisht në zgjatje të afateve, mungesë konsultimesh për shkak të afateve, ndikimi i zgjedhjeve parlamentare në dinamikat e punës së administratës publike, në përshtatjen e kapaciteteve administrative dhe në rritje të kostove.Prandaj, ne insistojmë në një bashkëpunim më të strukturuar me partnerë ndërkombëtarë në fazat e planifikimit dhe të mbikëqyrjes së projekteve infrastrukturore.Duhet shtuar gjithashtu që vonesat dhe tejkalimi i kostove karakterizojnë projekte të ngjashme, ndonëse në një nivel krahasimisht shumë më të ulët, edhe në BE. Si është pozicionuar Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në përfitimin nga ky plan?Shumat e ndara nga Plani i Rritjes janë bërë sipas një formule të caktuar nga BE për çdo vend të Ballkanit. Përfitimi i Shqipërisë do të varet nga shkalla e thithjes së fondeve – BE ka vënë tre kategori kushtëzimesh – dhe nga avancimi i Reformave.CDI po ndërton një mekanizëm monitorimi specifik bazuar në përvojën e vendeve të BE-së dhe shpresojmë që ky instrument të kontribuojë sadopak në impaktin pozitiv të Planit të Rritjes. Çfarë ndryshimesh të mëdha priten në aspektin e integrimit europian nëpërmjet këtij plani?Më tepër se aspekti financiar (ekstra 80 milionë euro në vit), Plani i Rritjes duhet të jetë një ushtrim i mirë (ose stërvitje) për institucionet shqiptare për të qenë gati për anëtarësim dhe për të maksimizuar përfitimet nga qasja e institucioneve shqiptare dhe aktorëve të biznesit në politika të ndryshme të BE, instrumenteve financiare dhe programeve përkatëse, përpara anëtarësimit të vendit.Në vlerësimin tonë, ky është përfitimi më i madh nga Plani i Rritjes. Sa i përgatitur është sektori privat në Shqipëri për të shfrytëzuar mundësitë që ofron ky plan?Ne jemi duke biseduar me përfaqësues të shoqatave të biznesit për të pasuruar dhe për të përmirësuar informacionin në dispozicion të bizneseve shqiptare.Në optikën e anëtarësimit në 2030, ne parashikojmë një ortek informacioni, instrumentesh financiare, politikash, programesh, skemash mbështetjeje, rregulla e procedura, të cilat pritet të “godasin” ekosistemin e biznesit në vend.BE do të bëhet gjithnjë e më e pranishme në ekonominë e vendit dhe rregullat dhe institucionet kombëtare do të duhet të përshtaten.Ndërsa kompanitë e mëdha po fillojnë të ndërgjegjësohen për afatin e 2030, kompanitë e mesme dhe sidomos ato të vogla kanë ngelur mbrapa.                Si mund të monitorohet zbatimi i planit për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie?Çdo qeveri do të ketë mekanizmin e saj raportues në BE, elemente të të cilit do të jenë publike. Ndërkohë, CDI po ndërton një mekanizëm monitorimi dhe raportimi plotësues, i cili do t’u shërbejë nevojave të aktorëve të tjerë, përfshirë dhe bizneset.    Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.