Alarm nga OBSH: Mushkonjat po përhapin virusin chikungunya! Rrezik për miliarda njerëz në mbarë botën

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi një thirrje urgjente për veprim ditën e martë, për të parandaluar një shpërthim të ri global të virusit chikungunya, i cili transmetohet nga mushkonjat dhe shkakton temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kyçeve dhe, në disa raste, paaftësi afatgjatë.

Sipas OBSH-së, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 shtete ndodhen në zona të rrezikuara. Oficerja mjekësore Diana Rojas Alvarez paralajmëroi se “historia po përsëritet”, duke bërë krahasim me epideminë e viteve 2004-2005, kur virusi u përhap globalisht pasi fillimisht preku territore të vogla ishujsh.
Shpërthimi aktual ka nisur në fillim të vitit 2025, duke përfshirë ishujt e Oqeanit Indian si La Reunion, Mayotte dhe Mauritius, ku në La Reunion tashmë rreth një e treta e popullsisë është infektuar. Virusi është përhapur më tej në Madagaskar, Somali, Kenia dhe po shfaqet me transmetim të gjerë edhe në Indinë dhe Azinë Juglindore.

OBSH shpreh shqetësim për rritjen e rasteve të importuara dhe transmetimit lokal në Evropë. Në Francën kontinentale janë regjistruar afro 800 raste të importuara që nga 1 maji dhe 12 raste me transmetim lokal, ndërsa një rast është raportuar edhe në Itali.
Chikungunya përhapet nga mushkonjat Aedes, përfshirë mushkonjën “tigër”, që transmeton edhe viruset dengue dhe Zika. Aktualisht nuk ka trajtim specifik për chikungunya, ndaj OBSH thekson rëndësinë e parandalimit, përmes përdorimit të repelentëve ndaj insekteve, veshjeve mbrojtëse dhe eliminimit të vendeve ku rriten mushkonjat.
/vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *