Shtohen problemet e lëkurës, mjekët: Shkaku kryesor, ekspozimi i gjatë në diell

Në Poliklinikën e Qytetit të Korçës është vënë re një rritje e ndjeshme e vizitave për probleme me lëkurën gjatë muajve të verës.
Dermatologia Laura Ramonllari thotë se kjo periudhë sjell gjithmonë më shumë raste, për shkak të ekspozimit të gjatë ndaj diellit.
“Gjithmonë në periudhën e verës kemi raste të shtimit të vizitave, vihet re në gjithë popullatën. Vëmë re infeksionet e lëkurës tek fëmijët, problemet e alergjisë tek moshat e reja, dhe probleme tek të sëmurët kronike në moshat më të vjetra. Gjatë sezonit veror kemi infeksion nga stafilokoku, infeksionet e mykut”, tha dermatologia Laura Ramonllari.
Mjekja keshillon që të mos neglizhohen problemet e lëkurës, pasi shpesh mund të përkeqësohen nëse nuk trajtohen në kohë.
“Sa më pak ekspozime, jo në vende të pakontrolluara. Higjiena është shumë e rëndësishme, mbrojtja nga piku i diellit që nuk rekomandohet nga ora 11-16:00”, shtoi dermatologia.
Çdo ditë në pavionin e dermatologjisë paraqiten mbi 40 raste, ndërsa mjekët specialistë bëjnë thirrje për kujdes të shtuar edhe ndaj përdorimit pa kriter të produkteve për trajtimin e lëkurës.