Ministria e Financave ka nxjerrë Udhëzimin, i cili përcakton rregulla të detajuara për kontrollin e brendshëm dhe verifikimin e masave për zbatimin e Instrumentit të Facilitetit për Reforma dhe Rritje (RGF). Ky udhëzim vjen në kuadër të marrëveshjes së ratifikuar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe ka për qëllim garantimin e integritetit, transparencës dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve të BE-së.
Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë procedurat, funksionet dhe rolet për të gjitha institucionet e përfshira në zbatimin dhe monitorimin e Instrumentit RGF, në përputhje me Agjendën Kombëtare të Reformave 2024–2027. Ai krijon një kornizë për zbatimin e mekanizmave të kontrollit dhe auditimit të brendshëm, duke siguruar menaxhim të mirë financiar dhe mbështetjen e Deklaratës së Sigurisë, një kërkesë kyçe për disbursimin e fondeve.
Objektivat specifikë përfshijnë përshkrimin e proceseve dhe hapave për kontrollin dhe auditimin e brendshëm, duke përfshirë verifikimin e përmbushjes së objektivave sasiore dhe cilësore, si dhe përcaktimin e roleve dhe përgjegjësive të Koordinatorit Kombëtar, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera zbatuese në raportim dhe zbatim.
Sipas dokumentit, zbatimi i udhëzimit bazohet “në parime kyçe si menaxhimi i mirë financiar, efikasiteti, transparenca, llogaridhënia, parandalimi dhe zbulimi i mashtrimit/korrupsionit, si dhe sigurimi i pakthyeshmërisë së reformave”.
Udhëzimi detajon edhe rolet e institucioneve kyçe. Koordinatori Kombëtar (KK) është përgjegjës për koordinimin e përgjithshëm të Instrumentit RGF me Komisionin Evropian dhe bashkë-nënshkruan Deklaratën e Sigurisë me Ministrinë e Financave.
Ndërsa Zyra Mbështetëse e Koordinatorit Kombëtar (ZMKK), mbështet KK-në në koordinim dhe monitorim, përgatit raporte periodike dhe formulon kërkesat për pagesa, shkruan rtsh.al.
Ministria e Financave ushtron rolin e autoritetit koordinues për harmonizimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, si dhe funksionin e auditimit të brendshëm.
“Ajo koordinon Sistemin e Menaxhimit të Parregullsive, harton udhëzime standarde dhe mbledh prova verifikuese për Deklaratën e Sigurisë.”, theksohet në dokument.
Ndërsa ministritë e linjës dhe institucionet zbatuese dhe përfituese, janë përgjegjëse për planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe raportimin e reformave dhe investimeve. Detyrimet e tyre përfshijnë zbatimin e udhëzimeve, hartimin e planeve tremujore, ruajtjen e evidencave, funksionimin efektiv të auditimit të brendshëm dhe përgatitjen e raporteve periodike.
Procesi i kontrollit të brendshëm
Kontrolli i brendshëm përbën një proces të vazhdueshëm dhe sistematik, që synon të sigurojë përdorimin e ligjshëm, të rregullt, ekonomik, efikas dhe efektiv të fondeve të Bashkimit Evropian.
Çdo institucion përfitues duhet të sigurojë sisteme efektive kontrolli, transparencë dhe të dorëzojë një deklaratë sigurie. Institucionet duhet të identifikojnë dhe menaxhojnë riskun për çdo hap reforme, duke hartuar plane të kontrollit të brendshëm dhe duke zbatuar masa parandaluese ndaj mashtrimit, korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
Procesi i auditimit të brendshëm
Auditimi i brendshëm luan një rol të pavarur, objektiv dhe këshillues në vlerësimin e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit.
“Struktura përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm në Ministrinë e Financave koordinon këtë funksion dhe siguron udhëzime specifike. Institucionet zbatuese duhet të dorëzojnë raporte gjashtëmujore auditimi, të cilat konsolidohen nga Ministria e Financave për të mbështetur kërkesat për pagesë dhe Deklaratën e Sigurisë.”, theksohet në Udhëzim.
Ky udhëzim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kuadrit rregullator për menaxhimin e fondeve të BE-së në Shqipëri.
Menaxhimi i fondeve të BE-së në Shqipëri, Ministria e Financave nxjerr Udhëzimin e ri
