Si u tremb Edi Rama pas plasjes së skandalit 831 ha tokë në Kaninë për park fotovoltaik për Frangajn, nga urdhri për…

Pas plasjes së skandalit në media, i cili ekspozoi pazarin e pistë për të dhënë me qira 831 hektarë tokë publike në Kaninë për ndërtimin e një parku fotovoltaik që sipas burimeve dyshohet se do i shkonte Aleksandër Frangajt, reagimi i qeverisë ishte i menjëhershëm dhe i koordinuar në panik. Kryeministri Edi Rama, i vendosur të shmangë përplasjen me opinionin publik dhe ekspozimin ndërkombëtar të aferës, urdhëroi të tërhiqej urgjentisht projektvendimi nga rendi i ditës së Këshillit Bashkiak. Dhe mënyra se si u anulua është më skandalozja. Zyrtarisht, u pretendua se projektvendimi po tërhiqej sepse mungonin disa dokumente pronësie nga ASHK. Por pikërisht këtu lind pyetja që demaskon farsën: nëse dokumentet mungonin, si u fut projektvendimi në rendin e ditës në radhë të parë? Si përfundoi dosja në Këshill pa u verifikuar plotësia e saj? Dhe më absurde akoma: si ka mundësi që “njoftimi” i mungesës së dokumenteve erdhi të dielën, kur institucionet shtetërore janë zyrtarisht pushim?
Si nisi gjithçka?
Gazetari Klodian Tomorri raportoi se që në nëntor 2023, në Bashkinë e Vlorës mbërriti një shprehje interesi për ndërtimin e një centrali diellor në Kaninë, mbi një sipërfaqe të jashtëzakonshme prej 830 hektarësh, duke përfshirë të gjithë faqen lindore të Malit të Kaninës. Bëhet fjalë për zonën Shashicë–Gumenicë, një territor kullosor ku jetojnë dhe punojnë qindra familje me blegtori, me rreth 7,500 krerë bagëti dhe dhjetëra stane. Fillimisht, Dredha organizoi një dëgjesë publike për t’iu përmbajtur formalisht ligjit. Banorët ishin njëzëri kundër: ata nuk kishin ndër mend të braktisnin tokën ku prej vitesh zhvillonin jetën ekonomike. Ata paralajmëruan se shumë prej pronave përfshiheshin në konflikte pronësie, gjyqe dhe ishin të regjistruara si prona private, jo tokë shtetërore.
Presionet nga lart dhe përplasja me Ramën
Pas dëgjesës publike, në vend që projekti të ndalej për shkak të kundërshtimit të banorëve, presioni ndaj Ermal Dredhës u rrit. Të gjithë zyrtarët lokalë të Bashkisë Vlorë filluan të ndienin një klimë frike dhe tensioni. Në media qarkulluan pamje nga një debat i ashpër mes Edi Ramës dhe Ermal Dredhës, gjatë një aktiviteti të PS-së. Zyrtarisht u tha se përplasja ishte për zjarret, por burime nga brenda PS-së tregojnë se kriza e vërtetë ishte për tokën e Kaninës. Dy javë më pas, Rama zbarkoi vetë në Vlorë. Në një takim të tensionuar me Dredhën, ai urdhëroi shkarkimin e të gjithë drejtorëve të bashkisë. Ky ishte një akt i pashembullt, një “shtetrrethim” institucional që i dha mesazhin: “ose firmos, ose largohet gjithë skuadra jote”. Dredha u gjunjëzua.
Projektvendimi
Më 19 korrik, Dredha firmosi projektvendimin për dhënien me qira për 10 vjet (me të drejtë rinovimi) të 831 hektarëve në Kaninë, për ndërtimin e parkut fotovoltaik. Ai u dërgua për votim në Këshillin Bashkiak të Vlorës më 21 korrik. Dje me orientime të qarta nga lart, Këshilli Bashkiak i Vlorës e hoqi nga rendi i ditës shqyrtimin e këtij projekti. Gjatë mbledhjes, këshilltari demokrat Atird Hoxha, teksa kundërshtoi ndërtimin e këtij parku fotovoltaik, denoncoi edhe manovrat jo transparente të bashkisë në trajtimin e kësaj çështjeje. Edhe këshilltarët e tjerë të opozitës, Eda Begaj dhe Ermal Arapaj, kundërshtuan ndërtimin e parkut në Kaninë. Gjatë debateve, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, dha një variant tjetër për këtë projekt, teksa pretendoi se ai nuk parashikon përdorimin e të gjithë sipërfaqes dhe se zona mund të mbetet pjesërisht e lirë për fermerët. Megjithatë, Dredha ishte i paqartë nëse ky projektvendim do të mund të rikthehet sërish në Këshillin Bashkiak. “Nuk dua të them nëse projektvendimi do të vijë sërish në këshill apo jo, por nëse do të jetë brenda kuadrit ligjor, mund të rikthehet. Ne po kërkojmë toka të pashfrytëzuara për investime të tilla në të ardhmen.”