Ilir Alimehmeti, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, ka folur në një intervistë për kandidimin e tij, zhvillimet brenda PD-së dhe pozicionin e tij në raport me kryebashkinë e Tiranës.
Ai e cilësoi kandidimin në listat e hapura si një formë të demokracisë së drejtpërdrejtë, ku qytetari ka mundësi të zgjedhë jo vetëm partinë, por edhe individin që përfaqëson më mirë vlerat e saj. Sipas tij, çdo deputet duhet të kalojë përmes kësaj forme përfaqësimi.
“Lista e hapur përfaqëson demokracinë nga poshtë lart. Kjo i jep mundësi qytetarit të përzgjedhë emrin që do të zbatojë programin e partisë pas fitores,” u shpreh Alimehmeti.
Duke iu referuar aleatëve të PD-së në koalicion, Alimehmeti u shpreh se efektiviteti i tyre do të matet në mënyrë reale më 11 maj. Ai nuk komentoi direkt ndarjen e vendeve në listat e sigurta, por theksoi se primaret janë një proces që i përket vetë partisë.
Sa i përket elektoratit gri, ai nënvizoi se shqiptarët janë më të orientuar drejt çështjeve konkrete si familja, dhe nuk e ndjejnë të nevojshme të kenë një kartë partie për të identifikuar bindjet e tyre. “Nëse u ofrojmë një program që përkon me vlerat familjare, shumica do të dakordësohen me ne,” shtoi ai.
Për ndryshimet në lidershipin e PD-së, Alimehmeti u shpreh se ai nuk është përqendruar në të kaluarën. “Jam bërë pjesë aktive në prill të 2022, në një nga momentet më të vështira të PD-së. Nuk jam nga ata që shikojnë pas, dua të ecim përpara,” përfundoi ai.
‘Aleatët do të testohen më 11 maj’, Alimehmeti: Lista e hapur, demokraci e drejtpërdrejtë
