Reforma në Drejtësi ka qenë e suksesshme për SPAK dhe një pjesë shumë e rëndësishme për këtë institucion, që ka dhënë edhe rezultate të prekshme.
Por drejtësia e re duket se ka një problem madhor: Ajo ka frikë që të prekë Sali Berishën dhe Edi Ramën apo që t’u ngrejë atyre akuza serioze për çështje serioze që ka pasur Shqipëria ndër vite.
Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu në Report Tv, në studion ‘Sot, Live në Shqipëri’ në një lidhje live me moderatorin Nertil Agalliu. Ai analizoi situatën e drejtësisë në 9 vjetorin e reformës së saj, të politikës, atë paszgjedhore, urdhrat e kryeministrit Rama për Bashkitë dhe aksionin për çlirimin e hapësirave publike.
“SPAK pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi në 9 vite. Por mendoj se Gjykata dhe Prokuroria ende kanë frikë nga Rama dhe Berisha. Ata janë të paprekshëm, sepse ende s’ka dalë një prokuror dhe gjyqtar që t’i cojë drejt qelisë së burgut, të ngrejë akuza reale dhe ende nuk ka një prej tyre që të ngrejë një akuzë reale ndaj tyre, edhe pse çështje ka pasur. Të gjithë e shohim se si Berisha akuzon drejtësinë gjithmonë dhe heshtin. Heshtin SPAK, GJKKO, KLP, KLGJ, heshtin ambasadat, Ministria e Drejtësisë, gjë që nuk ndodh me asnjë person tjetër. Mjafton të shohësh edhe se si Rama i drejtohet prokurorëve, u thotë ‘guxoni të merrni telefonin tim’! Por kjo nuk ndodh për zyrtarët e tjerë të proceduar, madje ka pasur të arrestuar për një celular apo një arkë peshk”, tha juristi.
Ai shtoi se dosje me të cilat mund të merret drejtësia për krerët e lartë në fjalë ka, por nuk veprohet sepse nuk guxohet. Madje sipas Spahiut, janë shkelur edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për 21 Janarin dhe përsëri drejtësia nuk guxon të veprojë. Sepse sipas tij, “presioni politik ndaj tyre është shumë i lartë”
“Ka pafundësisht çështje për t’u marrë, nuk është se nuk ka, por nuk veprohet. Mos harrojmë se janë shkelur edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut, si urdhri për gjykimin e 21 janarit dhe heshtet, asnjë nuk vepron, sepse nuk guxojnë. Unë nuk aludoj, unë jam nga ata që besoj se Gjykata dhe Prokuroria janë të pavarura, por presioni politik është shumë i lartë, të gjithë kanë fëmijë, familje dhe i mirëkuptoj, sepse presioni ekziston, por ky është realiteti”, tha ai.
Spahiu mori shembull standardet e Kosovës me drejtësinë, duke i krahasuar.
“Marr shembull në Kosovë, ku për një sharje apo kërcënim në Facebook në rrjete sociale ka arrestime apo ndalime, madje për shantazhe dhe fyerje. Kurse në Shqipëri ende nuk e shoh një gjë të tillë. Ka pritshmëri të lartë të publikut te kjo reformë. Madje mendoj se gjyqtarët dhe prokurorët janë vetë viktima të reformës, sepse janë arrestuar apo hequr nga detyra edhe për një garsonere, madje edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese u dënua për 40 metra katrorë shtëpi plazhi që nuk u provua se e kujt ishte. Gjyqtarët pra, dënojnë veten e tyre, por nuk guxojnë për politikën, kanë frikë. Sepse për dikë që ndërton 22 kulla nuk guxojnë, por për vetne e tyre veprojnë”, argumentoi juristi mes të tjerash për Report Tv.
Madje ai shkon më tej, ku shprehet se edhe ato procedime apo arrestime që bëhen për zyrtarë të lartë duket sikur janë pazare si në gjënë e gjallë mes politikës. Këtu iu referua rastit Berisha-Meta, duke ia bërë një referencë edhe rastit të mbajtjes në paraburgim prej kohësh edhe të kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Kujtojmë se Berisha është liruar në kohën që Meta është arrestuar, nuk kemi parimin e barazisë së ligjit, por parimin e tregut të gjësë së gjallë apo pazarit, ku njëri hyn, e tjetri del. Madje është nga ato rastet kur Gjykata Speciale nuk i është përpmabjtur standardit të saj me masat për arrestin shtëpiak apo atij me burg, nuk ka ndjekur të njëjtat standarde”, u shpreh Spahiu.
9 vite reformë në drejtësi/ Spahiu: Gjyqtarë dhe prokurorë ende e kanë frikë Ramën dhe Berishën!
